Andej-Këtej

Në mes të Romës, Becchetti shpalos fitoren kundër pushtetit të Edi Ramës - Nga Alba Kepi

“Dy fotografi gjigante në “Piazza di Spagna” të Romës reklamojnë prej disa orësh fotografinë e sipërmarrësit italian Francesco Becchetti me sloganin "Unë fitova" në portalin e tij web, i cili i dedikohet betejës, siç e quan ai "politike", me qeverinë shqiptare” - kështu e nis statusin e saj në Facebook gazetarja e njohur Alba Kepi duke raportuar nga vendngjarja.

“Piazza di Spagna” është një nga sheshet simbol të turizmit roman, italian e botëror, që lidh rrugët e qendrës historikë, “Condotti”, “Frattina”, “Margutta”, “del Corso”, “del Babuino” etj.

Me një historik prej shekullit të XV është një nga vendet më të frekuentuara nga turistët e nga banorët e Romës.

Fotografia e parë gjigante është në kufi me Scalinata (Shkallët) monumentale “del Trinita di Monti”, emër i marrë nga Kisha katolike e pozicionuar në majë të “Piazza di Spagna”.

Fotografia e dytë gjigante është pozicionuar në ndërtesën përballë këtij sheshi e përbri Muzeut të John Keats, pallati ku ka jetuar për një kohë poeti britanik më përfaqësues i romanticizmit letrar.

Të shohësh këto dy gjigantografi në mes të Romës e ndër vështrimet e mijëra turistëve është impresionuese.

Është imazhi më negativ ndaj Shqipërisë e për të cilin ne shqiptarët jemi veç viktima.

Nuk ka trafik droge, aktivitet kriminal që të konkurojë më këtë.

Duhet të pretendojmë transparencë publike e informuese mbi çka e çfarë po ndodh.

Një mega reklamë urbane, një celular në dorë e mijëra turistë të përditshëm lexojnë se ç’do të thotë "Unë fitova"!

Dokumentova sot për Rtv Ora e Ora News këtë fakt nga vendi më piktoresk i Romës që në banorët e quajmë Salloni i Romës.

E mendoj se jo pa qëllim është zgjedhur.

Nuk jam aq vanitoze të fotografohem me sipërmarrësin e fotografisë, por i përkas asaj kategorie gazëtarësh që gris këpucë për të shkuar tek lajmi.

"Sa më shumë një shoqëri i largohet së vërtetës, aq më shumë i urren ata që e thonë", shkruan Orwell.

Por them dhe se e vërteta është gjithnjë në kërkim të drejtësisë e duhet të marrë kuptimin e vërtetë. Eshtë princip i një vlere të pastimueshme në shërbim të të gjithëve e sidomos ndaj më të dobtëve.

©AlbaKepi

Shënim i Flasshqip: Kujtojmë se Shqipëria do duhet t’i paguajë 110 milion euro sipërmarrësit Italian Francesco Becchetti, pas vendimit të kryeministrit Edi Rama në vitin 2015 për të mbyllur televizionin kritik ndaj tij “Agon Channel”.