Andej-Këtej

Korona krijon aleanca të çuditshme - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Zvicra e ka një ministër të Financave që quhet Ueli Maurer. Ai është anëtar i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP). Është partia më e madhe politike e Zvicrës, por jo patjetër partia më e mençur. As Ueli Maurer nuk hyn në mesin e politikanëve më të mençur helvetikë.

Në fundjavë ai i ka dhënë një intervistë gazetës bulevardeske “Blick am Sonntag”. Në intervistë Ueli Maurer tregon mirëkuptim ndaj atyre që s’duan të marrin vaksinën kundër koronës. I quan zviceranë që nuk nënshtrohen. Ai thotë: “Nuk është detyrë e shtetit që ta mbrojë çdonjërën apo çdonjërin nga vdekja dhe të gjitha sëmundjet”. Maurer vazhdon: “Si të vendos unë si ministër nëse ju doni të vaksinoheni apo jo? Nëse vdisni, vdisni; nëse jeni të shëndoshë, jeni të shëndoshë dhe nëse infektoni dikë, kjo është përgjegjësia juaj.”

Sa thjeshtë qenka puna. E nuk është thjeshtë. Neni 10, paragrafi 1 dhe 2 i Kushtetutës së Zvicrës përcakton të “drejtën për jetë” dhe “paprekshmërinë fizike”. Detyrë qenësore e qeverisë është të mbrojë popullsinë nga dëmet e evitueshme dhe nga vdekja. Askush nuk ka të drejtë të infektojë tjetrin. Po të ekzistonte e drejta për t’i bërë dëm tjetrit apo për ta infektuar tjetrin, atëherë mund të pezullohen të gjitha të drejtat e komunikacionit dhe secili mund të ngasë veturën sipas qejfit. Po e shkele dikë, keq boll, ama ndodh.

Futbollisti Granit Xhaka është infektuar me koronë. Nuk është vaksinuar. Ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve zviceranë mendojnë se ky nuk është gjest i mençur i Xhakës, ka zviceranë të zonave jourbane, kryesisht përkrahës të partisë së Ueli Maurer, që Xhakën e konsiderojnë hero. Të njëjtit janë më të zhurmshëm kur Xhaka e bën shqiponjën. Të njëjtit shpesh nuk ngurrojnë të përdorin fjalë raciste ndaj shqiptarëve. Por nganjëherë, siç thuhet në frëngjisht, les extrêmes se touchent, pra ekstremet përputhen. Korona krijon aleanca të çuditshme. Absurde.

Gjasat që ministri Maurer të merret seriozisht nuk janë të mëdha. Zvicra i ka 7 ministra. Maurer është njëri nga 7. Shumica e ministrave përpiqen të marrin vendime të logjikshme. Dhe jo të tregojnë përralla. Por, prapëseprapë, e çuditshme se si marrëzia e një ministri zviceran përputhet edhe me mendimet e një pakice të shqiptarëve, që mendojnë se korona është veç shpikje virtuale.

©Enver Robelli