Andej-Këtej

Fuck You George Carlin! - Nga Rushan Xhaferi

 Rushan Xhaferi - Laval, Québec

-Fuck You too!

Subversive, mbiemër : që rrëzon ose kërcënon rendin e vendosur, vlerat e pranuara si të mirëqëna.

Nga se ka frikë pushteti?

Çdo lloj pushteti është i përbërë nga kapaciteti i shumicës për t’iu bindur sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi. Këto rregulla dhe ligje mund të jenë edhe kundër vetë popullsisë, nëse shumica, ose ajo pjesë e njerëzve që votojnë, vendosin në një mënyrë apo në një tjetër, përforcojnë pushtetin dhe i japin, mbi të gjitha atij legjitimitet. Dhuna e një grupi të përcaktuar ka shumë pak impakt për të trembur pushtetin. Bile, kjo dhunë e fuqizon akoma atë.

Nëse simpatizantët e partisë opozitare në një miting fillojnë, edhe me shumë të drejtë, bëhen të dhunshëm dhe sulmojnë ndërtesat si simbol të pushtetit apo edhe policinë si përfaqësuese të tij, dhuna ndaj tyre do të jetë jo vetëm e fortë, por edhe legjitime në sy të popullsisë, sepse Shteti mbron demokracinë e shprehur me anë të votave. Ky argument të lë pa fjalë, sepse dhuna e parë sjell të dytën. Askush nuk mund të shkojë jashtë kësaj logjike.

Nga ana tjetër, është Historia që na jep shëmbullin më të mirë nga se trëmbet pushteti. Ghandi mundi superfuqinë angleze pa dhunë. Sigurish Ghandi ishte mbi të gjitha filozof dhe jo pak i ditur. Kur turmat simpatizante të Ghandit përballeshin me ushtarët e Britanisë së Madhe, ushtarë indianë për më tepër, qëndronin stoikë dhe duronin shkopinjtë plagëlënës. Në këtë rast, pushteti humb gjithë fuqinë nëpërmjet dhunës. Sigurish, Shqiptarët nuk janë si Krishti të kthejnë faqen tjetër, ndoshta kjo është një nga (shumë) të metat tona edhe kur bëhet fjalë për të fituar. «Ne i q… robtë kujtdo që guxon të na prekë me dorë. Provojë një herë pa ta shikosh.»

Mahathma Ghandi bëri edhe diçka tjetër. Ai bëri atë që quhet mosbindje civile. Indiani i shoqëruar nga disa dhjetëra dishepuj dhe një grup gazetarësh marshoi 386 km. Kur mbërriti në buzë të Oqeanit Indian, Ghandi hyn në ujë dhe mbledh pak kripë në duar. Me këtë gjest tallës dhe tejet simbolik, Gandi inkurajon bashkatdhetarët e tij që të shkelin monopolin shtetëror për shpërndarjen e kripës. Le të përmëndim që pushteti i ka të gjitha të drejtat dhe në Indi, Perandoria angleze kishte vendosur një monopol mbi tregëtinë e kripës. Ky monopol detyronte të gjithë konsumatorët indianë, përfshirë dhe më të varfërit, të paguanin një taksë për kripën dhe i ndalonte ata që ta mblidhin vetë atë. Madje pushtuesi britanik ndërtoi barriera të mëdha për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme të punëtorëve të kripës. Por turma, prej disa mijëra simpatizantësh, imitoi Ghandin dhe mblodhi ujë të kripur në tenxhere të thjeshta. Shembulli i tyre filloi të ndiqej në të gjithë vendin. Pa dyshim që pushteti reagoi dhe futi në burg më shumë se 60,000 «shkelës».

Shqiptarët nuk janë indianë, por kjo nuk na ndalon të jemi më pak inteligjentë. Sigurisht që inteligjenca shpërbëhet kur bëhemi turmë. Por nuk jemi të detyruar të bëhemi turma të mëdha. Mjafton të bëhemi turma subversive. Ndryshimi thelbësor fillon kur populli ngrihet, në kryengritje, në mosbindje civile apo revolucion. Nëse ky i fundit është i pamundur të planifikohet, dy të parat janë lëvizje të ndërgjegjshme të njerëzve në situata të caktuara për të ndaluar avancimin pa fund të sistemeve autoritare.

Veprim subversiv

Cili është veprim subversiv? Po e filloj me mësuesit sepse është një kategori që më ngacmon. Akt subversiv është që mësuesit nuk vënë më nota ose japin nota maksimale. Aktori francez Albert Dupontel ka thënë : «Fëmija është një gjeni. Mëson të flasë vetë, mëson të ecë vetë dhe pastaj e fusim në shkollë dhe për habi bëhet një “idiot”. » Sistemi shkollor kërkon dhe prodhon qënie që i binden sistemit.

Aksion subversiv është që mjekët të mjekojnë pa marrë lekë dhe të bëjnë grevë për të kërkuar rroga më të mira dhe spitale «modernë». Modern, fjalë që do të thotë fuksional për vitin 2021.

Akt subversiv është që studentët të mos paguajnë më lekë për të kaluar provimin sepse është «normale».

Akt subversiv është që të dielën njerëzit të mos konsumojnë për një ditë të tërë. Specialistët kanë thënë se nëse vetëm për një ditë asnjeri nuk blen më Coca Cola, kompania gjigande falimenton. Për këtë jemi të sigurt sepse mjaftoi një gjest i futbollistit Christiano Ronaldo që në një konferencë për shtyp hoqi nga tavolina shishen e famshme dhe tha: «Agua» (ujë). Kompania Coca Cola humbi ne një ditë 4 miliardë dollarë. Fuqia e fjalës dhe e aktit! Një fjalë hodhi poshtë 4 000 000 000 000 lekë. Një 4 me 16 zero.

Veprim subversiv është që shqiptarët imigrantë të mos dërgojnë më lekë në Shqipëri. Këtu komplikohet muhabeti dhe po e tejkaloj.

Akt subversiv është që policët të mos japin më gjoba. Akt subversiv do të ishte që qytetarët që marrin gjoba ta kontestojnë me të gjitha mënyrat e ligjshme. Dhe të kërkojnë mënyra të ligjshme për të kontestuar këtë akt policor.

Subversive do të ishte që shqiptarët të mos ndjekin më në mediat sociale politikanë të korruptuar. Nuk po e përmëndim më Edi Ramën se nuk dua të mërzis dy miqtë të mi, të dy nga Elbasani. Njëri e «do» shumë. Tjetri? Tjetrit i zuri vëndin. 

Nuk është subversive kur shan kryeministrin në Facebook dhe bën një koment për të nxjerrë një farë dufi sepse ndihesh i pafuqishëm për situatën. Këto komente nuk prodhojnë asgjë konkrete apo të kontribuojnë në një reflektim të përbashkët. Nga ana tjetër, të bësh një libër që tregon intrigat dhe të vërtetat e viteve 1998-2006 është akt mëse subversiv. Është akt patriotik.

Kjo listë është vetëm një fillim dhe inteligjente do të ishte, nëse secili prej nesh të mendonte dhe të shkruante se çfarë do të ishte akt subversiv i cili godet çdo pushtet, sado pak. Ftesa u lëshua.

Subversiviteti ngelet një fantazi e imja në këtë moment sepse nga e thëna në të bërë na ndan një det edhe një oqean i tërë.

Në këtë moment, gjithë bota po shqetësohet (në thonjëza) për globin Cop26. Po njerëzit? Fuck the people! Le të shpëtojmë planetin! Fjalia më idiote për inteligjencën njerëzore. «Planeti është shumë mirë, njerëzit janë fucked up» thoshte George Carlin. Humoristi amerikan kishte një veti të çuditshme sepse të bën të reflektosh duke të lënë të kuptosh që individualisht, ne njerëzit e thjeshtë jemi një hiç, gjë që është depresionuese, dhe në të njëjtin moment të bën të qeshësh me shpirt. Bën shurrën në brekë, me demek.

George Carlin ka vite që na ka lënë në një situatë, mender të dhjerë, sepse ndoshta e kuptoi që nuk ka shpëtim nga fataliteti. Por mos harroni (mos harroni) sepse e ardhmja nuk është kurrë e shkruar paraprakisht. Jemi ne që e vendosim se çfarë drejtimi do të marrim si shoqëri, si komunitet apo si glob.

U prehsh në paqe George Carlin! Person subversiv, mbi të gjitha.

#sevendirtywords

©Rushan Xhaferi