Andej-Këtej

Kur Flammarion lidhte librat me lëkurë njerëzish - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi, Francë

Nicolas Camille Flammarion, astronom me emër të madh dhe vëlla i botuesit të njohur Ernest Flammarion është në origjinë të një historie të pazakonshme.

Dikur, një verë të vitit 1880 ai është ftuar në një mbrëmje mondane që jepte konti Saint-Ange. Historianët sot thonë se për ta ftuar ka këmbëngulur e shoqja, kontesha Saint-Ange, mjaft më e re në moshë dhe amatore e astronomisë…

Nicolas është nga burrat më të pashëm të kohës.

Gjatë mbrëmjes, ndërsa vështronin yjet, astronomi i është afruar konteshës dhe duke parë kurrizin e saj të zhveshur i ka pëshpëritur në vesh: keni supe absolutisht të mrekullueshëm.

A ka patur ndonjë lidhje midis tyre? Nuk dihet asgjë. Më e sigurt është se kontesha u kthye nga ai dhe i ka thënë: më vonë do t’ju jap një dhuratë që ju nuk mund ta refuzoni pa më fyer.

Vite më pas, në shtëpinë e Nicolas Camille Flammarion, vjen një letër, të cilën postieri ia jep së shoqes, Sylvie Pétiaux-Hugo. Për arsye që askush nuk i shpjegon, ajo nuk e hapi si zakonisht dhe e la tavolinën e të shoqit.

Ky, kur e sheh aty, zgjidh lidhësen dhe në mesin e në letre me shirit të zi gjen një copë lëkure njeriu.

Ka dy versione për origjinën e saj: i pari thotë se ajo është dërguar nga mjeku i konteshës Saint-Ange, me porosinë e kësaj të fundit. Versioni i dytë thonë se letrën vetë e ka shkruar kontesha, qe ishte prekur nga tuberkoluzi dhe para se të vdiste i kishte shkruar: një ditë ju më keni thënë se lëkura e supeve të mia ju pëlqen. Ja tek e keni.

Nicolas Flammarion, siç i ka treguar një gazetari, një kohë të gjatë nuk dinte ç’të bënte me të. Dikur vendosi dhe ia dërgoi një miku te tij kimist, që pasi e përpunoi me preparate te ndryshme ia ktheu astronomit.

Me të ai lidhi dy kopje të librit të tij «Terres du Ciel». Në kurriz të kopertinës së kuqe janë vendosur disa yje, për të cilat ai do të thotë më vonë se janë në kujtim të një nate të shndritëshme... Në kurrizin e njërit prej tyre, me gërma ari është shkruar: Në kujtim të një të vdekure.

Libri sot ruhet nga shoqata astronomike e Francës.

©Dashnor Kokonozi