Shqipëria, vend pelegrinazhi i hierarkëve kristianë
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Genc Mlloja

"Popullsia prej 3 milionë banorësh është kryesisht muslimane, por ka gjithashtu komunitete ortodokse dhe katolike në Shqipëri", vinin në dukje dje mediat amerikane ndër të cilat spikaste Washington Post dhe AP.
Këtë koment ato e bënin në kuadrin e vizitës së kreut të Kishës Ortodokse Ruse, Kirill, në Tiranë. Vizitë e filluar dje dhe që do të perfundojë nesër më 30 prill 2018.
Siç u njoftua zyrtarisht, i ftuar nga Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastasios Janullatos, Kirill ka në program takime edhe me Presidentin Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama. Po kështu filluan veprimtari kishtare të ndryshme që do kulmojnë në ditën e fundit të vizitës.
Thuhet se Kirill dhe Janullatos jane te lidhur me një miqësi 50- vjeçare, fakt ky i panjohur deri më tani.
Ka patur kundershtime kur ra regjimi komunist më 1991 për emërimin e Janullatos në krye të KOAL, por ish-Presidenti i athershëm, Sali Berisha, e dekretoi atë emërim edhe pse Janullatos nuk kishte shtetësinë shqiptare, të cilën ia akordoi Presidenti aktual Ilir Meta para disa muajsh, madje duke e vleresuar këtë figurë fetare greke si një humanist të paepur të shqiptarizmit!?
Në vitet 1990 po ashtu, është kundërshtuar fort caktimi i Janullatos-it si kreu i besimit ortodoks shqiptar nga komuniteti ortodoks shqiptaro-amerikan në SHBA, veçanerisht prej atij të Bostonit, i lidhur fort me emrin dhe veprën e të ndjerit Fan Noli. Por Shqipëria vetë ishte rrëmuje në atë kohë dhe për shumicën e popullit të tromaksur, caktimi i Janullatos as ishte në vemendje.
Nderkohë, kujtojmë se që prej rënies së komunizmit, Shqipërinë e kanë vizituar edhe dy krerë të Vatikanit, përkatësisht Papa Gjon Pali II dhe Papa aktual Françesku.
Analistë politikë të huaj, vënë në dukje se nuk ka patur asnjëherë në Shqipëri vizita të quajtura historike, si kjo e Kirill, prej hierarkëve të komunitetit musliman, në këtë vend ballkanik të populluar prej një shumice muslimane.
Por të mos harrojmë që Shqiperia gjithashtu komentohet si shembull i bashkëkzistencës ndërmjet katër besimeve kryesore fetare: musliman, ortodoks, katolik e bektashian.
Një vështrim i “kalendarit” të vizitave të pelegrinëve fetarë në Shqipëri, dëshmon një demonstrim kristian në shoqërinë shqiptare në përbërje të së cilës shumicë janë muslimanet, sikurse etikohet gjithnjë nga mediat perëndimore, së fundi edhe në rastin e vizitës së Patriarkut Ortodoks Rus Kirill.



