Ç'i premtoni më këtij populli?! Ai i lumtur është... - Nga Faruk Myrtaj
- Published in Andej-Këtej
(The day Saddam's statue fell)
Mundemi ta këqyrim veten: dhimbshëm, intimisht, nga distanca, sikur të ishim SOT ne në Bagdad. Shtrire në divanë komodë shohim ç’bën vaki atje! Mundësi të shohim veten e para 13 vjetëve?
Gjithnjë gjenden ca turma, afër kamerave, afër podiumit, ku flasin shtetarët. Sikur të mos dish çelësin e diktaturave, je gati te thuash ç’doni me këtë popull, ai i lumtur është, ç’kërkoni t’i sillni tjetër?! Edhe udhëheqjen e ka, edhe lirine e fjales... edhe të drejtën për të Ikur...!
... këtyre njerëzve të patëkeq, nuk u shkon ndërmend se ç’lloj horrash e hajdutësh ka e do të shfaqen midis atyre që u flasin për demokraci!
Kështu ndodhi në Shqipëri, më 1991-1992? Më 1997-1998, a nuk ndodhi kështu? Përderisa shteti vazhdon ta ndajë pronën në mënyrë të padrejtë, përderisa shteti nuk bëhet shtet për të gjithë qytetarët, nuk do të kemi prapë, më 2004 apo 2007, po ato rrëmuja, po ato vjedhje, të pronave publike, shtetërore?
Sikur të vinte për së dyti komunizmi i vjetër apo pluralizmi i ri, në Shqipëri, të tërë ne, si individë dhe si popuj, a do ta prisnim ndryshe?!
Sigurisht nuk do të na e hidhnin aq lehtë, por nuk do të shpresonim aq shumë, po ta rrezonim për së dyti...!
Në Shqipëri, ata që ishin më 1990-1991, po ata janë në krye, me po ato sharje, akuza dhe kompromise për njeri-tjetrin. ata që janë në pushtet duket se e duan, vetëm ata, Atdheun, ata kanë të drejtë ta vjedhin e ta telendisin atë.
Ne e pamë Rënien e Sadamit nëpërmjet ekraneve, vëmë buzën në gaz, por irakianëve që nuk kishin pasur përvoja të tilla, nuk u shkon mendja për keq!
Ata do dyzojnë për ca ditë, sa të... marrin vesh se cilët prej atyre që po u premtojnë, do t’i gënjejnë më shumë! Ata akoma nuk e dinë çdo të thotë tranzicion, zgjedhje të lira, OSBE, Shoqëri Civile, Vjedhje dhe Krim i Organizuar, eh... nuk dinë të gjorët!
Lërini të gëzojnë ca kohë! E rëndësishme për ta është që nuk kanë më Sadamin, dhe s'është pak. Por do të ishte tjetër gjë sikur të vështronin edhe ca më tej: cilët bërtasin më kot kundër Sadamit?
©Faruk Myrtaj (fragment nga "Rreth tribunave që bien", 2004)



