Andej-Këtej

Anti-Putin personal kit - Nga Artan Gjyzel Hasani

Derisa agresioni rus në Ukraine të ndalojë:

Nuk do dëgjoj Shostakoviçin dhe valset e tij.

Nuk do të lexoj Tolstoin, Turgenievin, Dostojevskin, do bojkotoj Pushkinin, Lermontovin, Eseninin dhe Majakovskin…dhe sidomos Gogolin…

Nuk do luaj as shah, meqë i përkas shkolles ruse të shahut…

Nuk do të dëgjoj versionin rus të kenges cigane “Oçie çornje”…

Baletin rus hiç e hiç…patinazhin po ashtu…

Pa kuptuar u krodha në një album të Ermitazhit duke shijuar kryevepra të Rjepin dhe me erdhi turp nga vetja…

Bojkot sallatës ruse dhe vodkës…

Kur të shoh përballë Svetllanen dhe Snezhanen do ndërroj trotuarin…

Harrova gjë tjeter ruse?

Ah, po…nesër drejt e te okulisti im rus dhe do t’ia përplas në surrat syzet që më bëri…

Dhe në mbremje, pasi të kem mbaruar këtë mision paqedashës humanitar, do rehatohem në kolltukun tim jorus dhe do shoh “Doktor Zhivagon”, duke pretenduar që nuk i përket Pasternakut…

Në mëngjes do bëj një selfie në krah të statujës prej dylli të vëllezerve Kliçko të veshur me uniformë ushtarake dhe me mitroloz në dorë duke mbrojtur atdheun…

P.S. Shyqyr që është dimër dhe dielli i dobët, se përndryshe do shkrinte dylli dhe Kliçkot do merrnin fizionominë e Lev Jashinit dhe ku të mbytem pastaj…

©Artan Gjyzel Hasani