Andej-Këtej

Presidenti gjerman i padëshiruar në Kiev - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Ishte një skenë për histori: presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier doli sot para mediave në Varshavë dhe deklaroi se presidenti polak Andrzej Duda së fundi kishte idenë për një vizitë të përbashkët në Kiev. Bashkë me presidentin polak dhe gjerman do të udhëtonin edhe krerët e shteteve baltike. Steinmeier tha: “Unë isha i gatshëm, por më duhet ta pranoj se kjo nuk qe e dëshirueshme në Kiev”.

Kështu nuk është poshtëruar asnjë president gjerman në dekadat e fundit.

Vendimi i Ukrainës nuk është i mençur. Gjermania ka pranuar rreth 300 mijë refugjatë ukrainas. Steinmeier është distancuar nga qëndrimet e tij mirëkuptuese ndaj Rusisë në vitet e fundit. Ai e ka dënuar qartë agresionin rus ndaj Ukrainës.

Ndonëse me ngurim, Gjermania është duke e furnizuar Ukrainën me armë. Por ukrainasit ndihen të lënduar. Steinmeier vërtet ka qenë ndër politikanët kryesorë gjermanë që e ka ndërtuar politikën e jashtme gjermane, e cila ka qenë naive ndaj Rusisë.

Refuzimi i Ukrainës për të pritur Steinmeierin në Kiev mund të gëzojë vetëm një person, Vladimir Putinin. Me sa duket presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski është ndikuar nga ambasadori i Ukrainës në Berlin Andrej Melnik, i cili prej se ka filluar agresioni rus ndaj Ukrainës ka hequr dorë nga çdo rregull diplomatike dhe orë e çast sulmon Gjermaninë për politikat naive ndaj Rusisë.

Kjo është e vërtetë, por udhëheqësit ukrainas duhet të kenë kujdes të mos ngatërrojnë miqtë me armiqtë. Armiku është Rusia. Gjermania nuk është. Përkundër të gjitha gabimeve të politikës gjermane.

©Enver Robelli