Andej-Këtej

Zeusi me fuoristradë - Nga Flurans Ilia

Zeusi ia hipi fuoristradës (kishte një Jeep 4×4), zbriti nga Olimpi dhe vajti për weekend me pushime për të pirë ndonjë gotë në Pieria (Katerini i sotëm në jug të Selanikut).

Aty u takua me Mnemozinën, gocën e Uranit (Qielli) dhe Geas (Toka). Mnemozina ishte edhe ajo titane, nga ato qenie për të cilat Homeri dëshmon se flisnin një gjuhë parahelenike të ndryshme nga gjuha në të cilën flasin heronjtë e Iliadës moderne.

Zeusi kishte vajtur për weekend dhe birra në Pieria, por përfundoi ekzakt 9 ditë dhe netë aty duke pirë nektar ambrosia, produkt i të cilave janë 9 vajzat që bëri me Mnemozinën.

Imagjinojeni vetë tani, nga një për çdo natë, ç’bën dashuria?!

9 vajzat e Mnemozinës dhe Zeusit të njohura si Muzat poetike, do të bëheshin burim i frymëzimit poetik, artistik dhe intelektual, të mbështjella me muzikë - shprehia më sublime e harmonisë kozmike - pjesa më integrale e universit.

Sipas Hesiodit që edhe i emërton, çdonjëra prej tyre përqafon një tipar të veçantë. Kaliopi ishte muza e poezisë epike. Klioja e historisë. Polihimja e pantomimës (kjo është my favorite, arti i të folurit pa fjalë). Melpomeni e tragjedisë. Talia e komedisë. Eratoja e lirikës korale. Euterpja e fyellit (flauti i sotëm). Terpisoja e vargjeve këmbëlehta dhe valles. Dhe Urania e astronomisë.

Kështu që çdonjëra prej jush që mbjell poezi këtu, lind rrefenja arti atje, është pjesë e pashmangshme e fatit të atyre 9 netëve ku, dashuria gatuhej me flatra. Ku dashuria kishte diçka hyjnore dhe trupore. Epsh seks fjalë dhe nektar. Fat dhe histori. Qiell dhe tokë.

Këtë ua thoni pa ua bërë syri tërr burrave të cilët gjithë-gjithë çka kërkojnë, është një 4×4 për t'u kthyer në Olimp.

©Flurans Ilia