Andej-Këtej

Urime Evropë! Urime Shqipërisë evropiane!

 Nga Qemal Lame

Popujt evropianë festojnë 9 Majin si Ditën e Evropës që përkon edhe me ditën e fitores mbi nazifashizmin.
Shqiptarët janë etnikisht dhe gjeografikisht kombi më i vjetër në Kontinentin Evropian, me kontribute historike në zhvillimin dhe përparimin e arritur nga popujt evropianë nga lashtësia e deri në ditët tona. Na bashkon historia e përbashkët, arritjet e pasojat e rënda të pamerituara, si ato të Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria e gjithë kombi shqiptar u bashkuan dhe u deklaruan fitimtarë me gjithë Aleancën Antifashiste.

68-vjetorin e ditës së Evropës e festojmë edhe me besimin e plotë në hapjen e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian vlerësojnë tashëgiminë e përbashkët historike, kulturore e miqësore me Shqipërinë e shqiptarët, kontributin në mesjetë në mbrojtjen e Evropës nga pushtimi osman, përpjekjet për rilindjen evropiane etj. Pushtuesit osmanë dhe bashkësia e shteteve socialiste diktatoriale të Evropës Lindore na ndanë e na larguan me dhunë nga popujt e tjerë evropianë. Pushteti diktatorial na izoloi nga Evropa dhe gjithë bota.
Shqipëria e gjithë kombi shqiptar ndodhet në fazën e tretë historike të hapit vendimtar të bashkimit përfundimisht me bashkësinë evropiane. Shtetet evropiane njohin mirë të kaluarën historike, periudhën e socializmit dhe problemet e demokracisë në Shqipëri. 
Kemi besim, se nuk do të viktimizohet Shqipëria nga skeptikët e ultranacionalistët evropianë, me fenomenet negative si kanabisi, korrupsioni etj., të cilat nuk kanë qenë fenomene të popullit dhe shtetit shqiptar. 

Evropa do të vlerësojë vlerat e përbashkëta që kanë shqiptarët me popujt e tjerë të bashkësisë, reformat që bëhen për integrimin, masat për plotësimin e standarteve bashkëkohore të shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale. 
Garanci do të jetë edhe mbështetja që dëshmojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë. 
Shqiptarët e integruar në shtetet ku kanë emigruar në Evropë janë dëshmia në sytë, mendjen dhe veprimtarinë e përditshme të njerëzve të thjeshtë që i kanë bërë shqiptarët pjesë të përbashkët të jetës e të së ardhmes së tyre të sigurtë.

Urime Evropë!
Urime Shqipërisë evropiane!