Rama, UҪK-ja dhe Shejtani - Nga Dritan Goxhaj
- Published in Andej-Këtej
Thuhet se të diturit jetojnë në liri, por edhe të marrët po ashtu, nëse dinë ta fshehin marrëzinë e tyre. Më erdhi në mëndje kjo shprehje duke parë fjalimin e Ramës në Këshillin e Europës. U mundua ta fshehë marrëzinë e tij pas të vërtetave të UҪK-së. Pasi ai e përdor drejtësinë dhe të vërtetat vetëm për nevojë, kurse pas saj fsheh padrejtësinë që e përdor si mundësi.
Pas atij fjalimi ku sulmoi gjithkënd e gjithçka, përveç Serbisë, me kërkesën e një rezolute të re nga ky Këshill, me preteksin për të pastruar emrin e UҪK-së, Kosovës dhe Shqipërisë, sa më shumë e dëgjoja aq më shumë më ngjante me Shejtanin e një historie arabe:
Një plak i moçëm, i cili e kishte humbur shikimin e tij, çdo mëngjes çohej e ashtu me ngadalë e duke prekur sa majtas e djathtas mundohej të shkonte në xhami. Një mëngjes duke vajtur për në xhami rrëzohet e vritet, por aty pranë dëgjon ndërkohë një zë që e pyet a u vrave dhe që po e ndihmonte të çohej. Dhe ashtu pasi e ndihmoi të çohej i tha se do e shoqëronte për ku ishte nisur.
Të nesmen në mëngjes plaku i gjorë sërish del nga porta e shtëpisë herët për të vajtur në xhami, por tashti i njëjti zë e përshëndet sapo del nga dera dhe i thotë se do e shoqëronte deri në xhami. Plaku e njohu, ishte zëri që e kishte ndihmuar dhe shoqëruar një ditë më pare kur u rrëzua.
Dhe kështu, kjo rutinë vazhdoi edhe për nja tre ditë të tjera. Por, ditën e katërt plaku sapo dëgjon zërin e personit në mëngjes i thotë se nuk kishte ndër mend të bënte as edhe një hap me atë person, pa i treguar më parë ai se cili ishte. Zëri i tha që nuk ka rëndësi se kush ësht, thjesht një dikush që po e ndihmon, por plaku ishte i vendosur dhe nuk lëvizte. Atëherë zëri i tha: unë jam Shejtani.
Nuk ka mundësi i tha plaku i çuditur, Shejtani ku të më ndalojë që unë mos të shkoj në xhami, e jo të më shoqërojë për në xhami.
Atëherë zëri sërish iu drejtua: kur u rrëzove zotrote para disa ditësh, Zoti ty t’i fali të gjitha mëkatet, e nëse ti rrëzohesh sërish duke vajtur për në xhami, atëherë Zoti do të të fali sevape dhe po të fali ty Zoti sevape, mua më dënojnë pronarët e mi. Ndaj më mirë më bie të të shoqëroj ty për xhami sesa ti të fitosh sevape nga Zoti.
Rama tha e ç’nuk tha për raportin e Dick Marty dhe për akuzën e trafikimit të organeve, por ama kjo akuzë nuk është përfshirë aspak në akuzat që Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur ndaj Thaçit me shokë. Rama qëllimisht nuk e preku pjesën e dytë të akuzës së Marty e cila i akuzon këta dhe UҪK-në se kanë pasur burgje në Kosovë dhe në Shqipëri ku kanë mbajtur, keqtrajtuar e vrarë kundërshtarë politikë.
Përse Rama nuk e ceku fare këtë pjesë të akuzës? Përse nuk e sulmoi këtë akuzë?
Sepse në rast se vërtetë ai do të dëshironte që të pastronte në atë Këshill me anë të një rezolute të re emrin e UҪK-së dhe të Shqipërisë, do të duhej që të sulmonte e hidhte poshtë këtë akuzë. Pasi realiteti është se këtë akuzë Dick Marty e ka marrë nga tre gazetarë, një amerikan e dy shqiptarë të paguar nga rrjeti serb i gazetarisë investigative të quajtur BIRN.
Dhe pikërisht në Prill të vitit 2009 gazetarët Altin Raxhimi, Michael Montgomery dhe Vladimir Karaj kanë shkruajtur për këtë rrjet serb një artikull me titull “UÇK-ja ka pasur kampe torturash në Shqipëri”. (Artikullin mund ta gjeni në fund të shkrimit)
Pas këtij artikulli EULEX në vitin 2010 vendosi që të nisë një hetim dhe në mes të vitit arreston 5 pjesëtarë të UҪK-së dhe i akuzon për këtë vepër, se gjoja kanë torturuar e vrarë në një kamp në Kukës disa shqiptarë të Kosovës. Dhe në fund të vitit 2012 i dënon ata për akuzat e ngritura.
Ndërsa gazetari Altin Raxhimi, që atëherë është dëshmitar i mbrojtur dhe i fshehur i prokurorisë dhe për këtë i kanë dhënë edhe azil në Kanada.
Rama ka 10 vjet që është kryeministër i Shqipërisë, në rast se vërtet ai do të donte që të pastronte emrin e Shqipërisë, UҪK-së dhe të mikut të tij Hashimit, ai ka pasur të gjitha mundësitë që të inicionte një hetim të gjërë në Shqipëri e të tregonte se UҪK-ja nuk ka pasur as burgje e as kampe të tilla, ashtu si akuzohet në këtë artikull.
E kishte mundësinë ta bënte këtë edhe vjet kur inicioi komisionin parlamentar për akuzat e Dick Marty, por edhe aty u mor vetëm me akuzën e trafikimit të organeve. Një akuzë të cilën e ka hedhur poshtë një hetim i EULEX dhe i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës nga 2011-2013.
Por Rama jo nuk ka aspak interes të hedhë poshtë akuzat për tortura e burgje në Shqipëri sepse kështu i bie që të akuzojë për shpifje Serbinë e vëllait të tij prej feje Vuçiçit, pasi ai që kur ishte kryeministër e deri në 2014 ka dorëzuar pranë EULEX 63 dosje për këto gjoja krime të UҪK-së, që përmbajnë rreth 48 mijë faqe shpifje.
Por ashtu si edhe e dëgjuam të gjithë, për Ramën genocidin në Kosovë e ka kryer Millosheviçi dhe jo shteti serb. Sepse po të thotë shteti, atëherë i duhet që të pranojë kërkesën e Kosovës për ta akuzuar Sërbinë në Gjykatën Ndërkombëtare për genocid.
Të gjithë ata naivët që mëndojnë se Rama po kërkon një rezolutë të re për ta mbrojtur UҪK-në, duhet ta kuptojnë se nuk është nevoja për të qënë jurist që ta shohësh se një rezolutë e re në mes të një proçesi që sapo ka nisur dhe ku ekziston më parë një precedent dënimi për akuzën për të cilën akuzohen Thaçi me shokë, do e bënte këtë rezolutë akoma edhe më të poshtër dhe më akuzuese se ajo e para.
Të gjithë mund të pyesim vetveten se nëse Rama vërtet dëshiron të pastrojë edhe emrin e Shqipërisë në këtë mesele, përse nuk e kërkon rihapjen e hetimit për vrasjen e Ilir Konushevcit?
Përse nuk e inicon një hetim për vrasjen e ushtarit të UҪK-së në qëndrën stërvitore të Burrelit? Vrasje për të cilën është akuzuar nga Prokuroria Speciale dhe po mbahet në paraburgim në Hagë Pjetër Shala, i cili vërtet është pjesëmarrës në këtë vepër por jo autor. Pasi autor është Ruzhdi Saramata të cilin Xhavit Haliti e HashimThaçi pas lufte e bënë nënkryetar të komisionit të veteranëve në Kosovë.
Ndaj të gjithë ata që e duartrokitën Ramën për marrëzinë e tij në Këshillin e Europës, tashti do të duhet t’i drejtojnë disa nga pyetjet e mësipërme, por jo vetëm Ramës por edhe vetes.
Duke qënë se KE është kryesisht për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pyeteni edhe pse nuk e ka ngritur asnjëherë në këtë Këshill pastrimin etnik që Sërbia po ushtron ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc?
Pyeteni përse nuk e ka ngritur asnjëherë çështjen e të zhdukurve që Serbia nuk pranon t’i dorëzojë? Por pyeteni edhe pse nuk e ka ngritur asnjëherë çështjen e vrasjes dhe zhdukjes së Ukshin Hotit.
Më në fund do të duhet që ne shqiptarët të kuptojmë fjalën e urtë të popullit: Tjetrit mos i shih gunën po shihi punën.
E puna e Ramës është e gjitha në shërbim të Serbisë.
E di që shumë do thoni se edhe Rama tha se e akuzojnë se “ai është spiun i Serbisë”, por kjo është paranoja e tij dhe këtu ai ngatërron argatllëkun me spiunllëkun.
Rama është thjesht një i marrë në shërbim të Sërbisë, pasi për të qënë spiun ai nuk ka as intelekt e as dije. Është një i marrë që padrejtësinë po na e shet si drejtësi, një i marrë e maskara që po mundohet të fshehë edhe marrëzinë e tij edhe maskarallëkun nën strehën e patriotizmit.
©Dritan Goxhaj
*Opinionet e shprehura në rubrikat e ndryshme nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht mendimin e botuesit të Flasshqip.ca.



