Andej-Këtej

"Lufta" në Ukrainë, "panair" i prodhuesve të armëve luftarake të teknologjisë së lartë - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Nuk ka vetëm panaire libri ose panaire mallrash industriale dhe bujqësore, ka edhe panaire armësh luftarake të teknologjisë të lartë. Pavarësisht propagandës mediatike për “luftën” në Ukrainë, kam bindjen se ajo po shërben më shumë si një panair, ku prodhuesit më të mëdhenj të armëve ekspozojnë aty llojet dhe modelet më të fundit të teknologjisë të lartë dhe lidhin kontrata disa milionëshe me klientët e tyre të shumtë.

Ukrainës i ka rënë fati i keq të shërbejë si poligon, ku shitësit demostrojnë “dal vivo” efikasitetin e armëve të tyre. Sigurisht që vriten edhe njerëz, shkatërrohen dhe dëmtohen edhe godina dhe objekte publike, por e gjithë kjo është pjesë e kostos së reklamës dhe nuk ka të bëjë me një luftë klasike nga ato që jemi mësuar të shohim.

Turqia, një prodhuese e njohur dronesh (droni Bayraktar), pati rastin t’i ekspozojë ato si shumë efikase në konfliktin ukrainas. Fill pas shfaqes të tyre të sukseshme për ata treguan interes Polonia, Finlanda, Suedia dhe disa dhjetra shtete të tjerë, që lidhën kontrata në disa miliona dollarë.

Nuk ngeli pas edhe Irani, me disa lloje të reja raketash tokë-tokë dhe tokë-ajër, por ky në mbështetje të Rusisë.

Vetë Rusia ekspozoi një raketë të veçantë supersonike, një model i ri, që perëndimorët (NATO) e mbajtën shënim, se ishin mbrapa me një teknologji të tillë. Nga ana tjetër, perëndimorët dhe shërbimet e tyre inteligjente janë duke eksperimentuar në Ukrainë metodat e tyre më të fundit në fushën e logjistikës ushtarake.

As më shumë dhe as më pak se një panair armësh, me pasoja vrastare për vendasit, por shumë efikas për prodhuesit dhe shitësit e armëve luftatake të teknologjisë më të fundit. Fundja çdo eksperiment bëhet mbi “kavje”.

Mjer ai vend që ka udhëheqës avanturierë që e përdorin atë si të tillë!

©Klodi Stralla