Andej-Këtej

Arkivi i SHBA publikon 13,000 dokumente mbi atentatin ndaj John F. Kennedy

Arkivi Kombëtar i SHBA publikoi dje (15.12.) rreth 13,000 dokumente në lidhje me vrasjen e presidentit John F. Kennedy në nëntor të vitit 1963, një ngjarje që shkaktoi tronditje në mbarë botën dhe nxiti spekulime të panumërta prej atëherë e deri më sot. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë, duke sjellë si argument sigurinë kombëtare, ka bllokuar publikimin e mijëra dokumenteve të tjerë. Një numër i madh arkivash mbi këtë ngjarje ishin deklasifikuar ndërkohë qysh në dhjetor 2021.

Sipas Arkivit Kombëtar, tashmë rreth 97% e 5 milionë faqeve të dosjes Kennedy janë të aksesueshme për publikun, ndërsa presidenti Joe Biden, përmes një deklarate, njoftoi se një numër “i kufizuar” dokumentesh nuk mund të bëhen publike, një masë kjo “e domosdoshme” për të parandaluar “efekte të dëmshmë në fushën e mbrojtjes ushtarake, operacioneve të inteligjencës, zbatimit të ligjit apo politikës së Jashtme”.

Vrasja e presidentit shumë të njohur amerikan, më 22 nëntor 1963 në Dallas, Teksas, prodhoi teori të shumta konspirative, të propaganduara nga qindra libra dhe filma, si për shembull “JFK” i Oliver Stone (1991), që hedhin poshtë konkluzionet e komisionit hetimor, i mbiquajtur “Komisioni Warren”, i cili konkludoi në vitin 1964 se Lee Harvey Oswald, një ish-marins që pat jetuar edhe në Bashkimin Sovjetik, kishte vepruar i vetëm për të realizuar vrasjen e Presidentit Kennedy. Siç dihet Osvald u vra dy ditë më vonë nga Jack Ryby, në ambientet e zyrës qendrore të Policisë së Dallas.

Disa besojnë se Oswald ishte vegël e Kubës ose BRSS. Të tjerë besojnë se vrasja u porosit dhe pagua nga opozita kubane anti-Castro me mbështetjen e shërbimeve sekrete amerikane dhe FBI-së, ose nga kundërshtarët e JFK në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2017, presidenti Donald Trump urdhëroi publikimin e disa dokumenteve mbi këtë aferë, bazuar në një ligj të Kongresit Amerikan miratuar më 1992, sipas dispozitave të të cilit të gjithë dokumentet në lidhje me Presidentin Kennedy duhet të publikoheshin brenda 25 viteve.

©Flasshqip.ca me informacion nga Agence France-Presse

Fotot: REUTERS/NASA