Jimmy Carter, Goran Miliç, Josip Broz Tito, George H. W. Bush - Shënime mbi botën e pardjeshme
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër
Para tri javësh ish-presidenti amerikan Jimmy Carter tha se tani e tutje nuk do t'i nënshtrohej më trajtimit mjekësor dhe do të jetonte i tërhequr në shtëpinë e tij. Që nga atëherë, siç shkruan gazeta gjermane "Die Zeit", në vendbanimin e Carterit, në Plains (të shtetit Georgia), televizioni CNN ka marrë me qira një shtëpi. Automjetet për transmetim të televizoneve FOX dhe ABC janë parkuar pas stacionit të zjarrfikësve në Plains. Gazetarë, redaktorë e punëtorë teknikë kalojnë kohën duke treguar barsoleta në pritje të vdekjes së ish-presidentit, shkruan DIE ZEIT. Vdekja e pritshme e Carter për mediat është (edhe) biznes milionësh. Ceremoninë mortore për George H. W. Bushin më 2018 e shikuan 40 milionë njerëz në mbarë botën. Në rastin e Carter ky numër pritet të jetë më i madh. Carter është 98-vjeçar, ai u lind më 1 tetor 1924. Ndoshta ai do t'ua luajë lojën me dredhi mediave amerikane dhe më 1 tetor 2024 do të festojë 100-vjetorin e lindjes. Kushedi. Mund të ndodhë.
Jimmy Carter ka qenë ndër burrështetasit e rrallë që nuk mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Josip Broz Titos më 8 maj 1980. Carter e bëri këtë për shkak se nuk deshi ta takonte në Beograd liderin sovjetik Leonid Brezhnjev ndërsa ndodhej në fushatën e zgjedhjeve presidenciale amerikane. Carter i dërgoi në Beograd nënën e tij Lilian Carter dhe nënpresidentin Walter Mondale si drejtues të delegacionit amerikan.
George H. W. Bush e kritikoi Carterin për mospjesëmarrjen e tij në varrimin e Josip Broz Titos. Bush tha se "SHBA-të po i sulmonin padrejtësisht jugosllavët në një moment kur vendi ishte distancuar nga Bashkimi Sovjetik".
Edhe jugosllavët ishin të mllefosur për shkak se presidenti amerikan kishte injoruar varrimin e Titos. Carter reflektoi pas kritikës. Gazetari kroat Goran Miliç, atëbotë korrespondent i televizionit jugosllav në New York, ka treguar këtë ndodhi: gjatë raportimeve nga SHBA dhe selia e OKB-së mbi reagimet mbi vdekjen e Titos, befas kishte cingëruar telefoni në zyrën e Goran Miliç-it: "Alo, keni ftesë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti ju ofron intervistë juve dhe kolegut tuaj Jurij Gustiniçiç". Jurij Gustiniçiç, gazetar slloven, atëbotë ishte korrespondent i gazetës "Politika" të Beogradit. Intervista është digjitalizuar dhe gjendet në këtë link:
https://www.presidency.ucsb.edu/.../interview-with-the...
Më pak se dy muaj pas ceremonisë mortore të autokratit jugosllav Josip Broz Tito, Carter vizitoi Jugosllavinë, përfshirë edhe të ashtuquajturën "Shtëpi e Luleve" në Beograd ku ishte varrosur Tito. Pas Carter, zgjedhjet presidenciale i fitoi Ronald Reagan, i cili ishte kritik i madh i komunizmit, ndonëse ndaj Jugosllavisë mbajti qëndrim të matur sepse Washingtoni ende kishte respekt për Titon për shkak të prishjes me Bashkimin Sovjetik më 1948. Carter më 2002 u nderua me çmimin Nobel për Paqe.
© Enver Robelli



