Andej-Këtej

Keqardhja e heshtur nuk mjafton!

Nga: Zef Preçi

Pak ditë më parë, një i ri korçar, për më tepër nga komuniteti me ngjyrë, vdiq në rrethana tejet të dyshimta në birucat e policisë së atij qyteti.

Dje në masmedia u bë e ditur se Mjekësia Ligjore e përcaktoi si vdekje natyrore (“ishte përdorues droge”)… Askush nuk e përgënjeshtroi këtë lajm (besoj "fake news"), edhe pse në disa mediume të tjera u tha sot se …”për të përcaktuar shkaqet e vdekjes duhet më shumë se një muaj”.

Fill mbas lajmit për vdekjen e të riut fatkeq që la jetimë tre fëmijë të mitur (mbajeni mend mirë: tre jetimë të mitur), edhe në kushtet kur familjarët e varfër edhe të pashkollë denoncuan dhunën barbare që i mori jetën të afërmit të tyre, policia tha se se SHKCB po heton, por deri më tani heshtje varri (po merren me skemat “duku/zhduku” të Babolë-ve dhe hallet që i kanë zënë)…

Sot policia, për çudinë e gjithkujt, pengoi mbajtjen e një proteste të familjarëve dhe të disa aktivistëve civilë pranë Ministrisë së Brendshme.

E pra, në Shqipërinë e sotme që aspiron të marrë ftesën (për çfarë vallë duhet ajo ftesë, përveçse për të hipotekuar pushtetin e oligarkëve të dhjamur me mundin dhe djersën e qytetarëve të pambrojtur, përfshirë edhe djaloshin e mjerë korçar që vdiq në duart e policisë?), “janë krijuar të gjithë instrumentet kushtetuese, politike, institucionale, publike dhe të shoqërisë civile që garantojnë sigurinë e jetës”.. së përtejme…”

Zgjohuni njerëz! Nëse vazhdohet kështu, duke u marrë paradite, gjithë ditën, pasdite dhe gjithë natën me Babolet e lojërave politike, mos u çuditni që një ditë do të vijë radha juaj të bini viktima të heshtjes kolektive vetëvrasëse unike si kjo jona…

Zgjohuni Komiteti i Helsinkit, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, parlamentarë të zgjedhur nga kryetari që nuk lë mizë e fluturak pa komentuar e google-uar, por asnjë gërmë për fatkeqin korçar që vdiq në birucat e policisë “që duam", në fakt të policisë “që duan”…

Çfarë duhet të ndodhë tjetër që të vihen në lëvizje institucionet ligjzbatuese? Nësë varfëria përzihet me padijen, instrumentalizimi politik është edhe më i lehtë, por dhe dëmi i shoqërisë ëdhe më i madh. Mos prisni të digjet komisariati vetëm sepse dy a tre policë janë kriminelë ordinerë me uniformën e shtetit veshur?

Ndoshta kjo shoqëri po bëhet e gjitha shoqëri Babole-sh, e nëse është kështu atëherë fajin nuk e ka askush, as Europa, bile as Azia e largët, por vetëm ne…

 

Tagged under Zef Preçi