Andej-Këtej

Ditë zgjedhjesh në pyll - Nga Jeta Dedja

Na ishte njëherë një pyll i braktisur nga shumica e banorëve të tij. Kishin mbetur zvarranikët, zogjtë shtegtarë, disa dhelpra, lepuj të egër, tek-tuk ndonjë ari e çakall, ca ketra dhe sigurisht që nuk mund të ishte një pyll pa derra.

Qëkur tufa e luanëve u largua, komandën e mori Derri i babëzitur, i cili mblodhi rreth vetes gjithë zvarranikët e mbetur. Edhe pse pylli ishte katandisur në gjendje të mjeruar, Derri hidhte valle me gjarpërinjtë në mbretërinë e tij. Kafshëve të tjera nuk u pëlqente kjo gjë, dhe disa herë kishin tentuar ta rrëzonin këtë derr nga froni, por gjarpërinjtë kishin arritur të paralizonin me helm çdo kryengritje.

Një ditë, dhelpra dhe çakalli vendosën të lidhin aleancë për të shfronësuar derrin. Ata shkuan derë më derë tu shpjegonin kafshëve planin e tyre. Të njëjtën gjë po bënte nga ana e tij edhe Bufi. Madje edhe Ariu i sapo zgjuar nga gjumi letargjik kishte vendosur t’ia merrte pushtetin Derrit famëkeq dhe gjarpërinjve të tij.

E kështu nisi fushata e takimeve në pyll. Kafshët sigurisht që dëgjonin, premtonin mbështetje dhe i përcillnin kandidatët buzagaz por me mosbesim e frikë në zemër. Njihnin dinakërinë e Dhelprës, egërsinë e Çakallit, mençurinë e Bufit, fuqinë e Ariut, por prej kohësh ata flinin nën patrullimet e gjarpërinjve të cilët çdo natë spërkatnin me helm pyllin duke mpirë mendjet e banorëve. Helmi nuk kishte arritur tek të gjithë. Mendjet që kishin mundur të shpëtonin ishin pak, mes tyre dominonin ato të fluturakëve, po ç’e do se, shumica prej tyre ishin banorë sezonalë.

E kështu erdhi dita e zgjedhjve. Kafshët që nuk ndiheshin të përfaqësuara, u strukën në foletë e tyre, të tjerët u hutuan fare dhe i hodhën votat sa tek Dhelpra e Çakalli, sa te Ariu e sa te Bufi, ndërsa të gjithë bartësit e helmit të gjarpërinjve votuan Derrin. Sa shumë që ishin!

Të nesërmen, një shi i rrëmbyer mori përpara gjithë shpresat e atyre që kishin të tilla. Zogjtë mezi prisnin momentin e shtegtimit, ndërsa ëndërrimtarët do prisnin mrekullinë ose do thurnin planet e largimit për në pyllin e lirisë. Këtë që kishin do t'ua linin derrave të panginjur dhe zvarranikëve helmues si dhe atyre që kishin bërë pakte me ta.

P.S. Çdo ngjashmëri me ngjarje reale është rastësi.

©JetaDedja/Flasshqip