Një histori e çuditshme - Nga Edmond Hasani
- Published in Andej-Këtej
Kjo që po ju rrëfej, është një histori e çuditshme, e pluhurosur nga vitet.
Andej nga viti 1986, duke pire kafe e konjak me një personazh famoz të Peshkopisë tek Vapori, të ndjerin mik Zeqir Kallaveren, ai nis e më tregon pak a shumë si më poshtë:
Aty ku janë lodrat për fëmijë, në kohë të luftës, ndër të tjera, ishte dhe një magazinë helmesh bujqesore, me pronar Koli Vrushon nga Durrësi.
Gjatë luftës, në gusht 1944, nga Peshkopia Koli iku në Durrës dhe kur u kthye pas ca kohësh, dyqani i tij ishte shkatërruar. Mes mbeturinave kish ngelur veç një pikturë, Shuberti në piano, vepër e piktorit të madh austriak Gustav Klimt.
Farmacisti Koli Vrusho, në hutim e sipër, apo për arsye të panjohura nuk i kushtoi rëndësi pikturës dhe u kthye sërish në Durrës, me idenë që do kthehej, por kjo nuk ndodhi kurrë. Në nëntor 1944, ai ikën në Itali përfundimisht e jeta e tij ngelet mister.
Komunistët marrin pushtetin, sekuestrojnë prona, shtëpi e toka të të pasurve dhe piktura bie në dorë të policisë.
Një ditë të fillim viteve 50-të, ish-kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Banush Goxhaj, ia dhuron një miku të vjetër, Ali Baboçit, të internuar në Dibër, që punonte banakier tek klubi i oficerëve. Aliu babaxhan e mbante pikturën në magazinë, e jo në lokal, thjesht nga frika dhe këtë ma tha mua një natë kur po luaja bilardo te klubi i oficerëve.
Lagështia bëri punën e saj dhe kjo pikturë e bukur e vitit 1899 filloi të dekompozohej. Piktori i madh Bajram Mata e merr për ta restauruar, e pas vdekjes së tij më 5 mars 1983, kjo pikture u zhduk.
-Pyete babain tend, - më tha në fund Zeqiri, - se ai ishte mik me Bajramin, e mbase di gjë.
Atë ditë pasdite e pyes babain tim, por ai ma kthen: “flasim nesër se qenke i dehur”.
Të nesërmen babai më thotë: “Po, është e vërtetë se e kam parë edhe unë pikturën te Xha Aliu dhe te studio e Bajramit. Pikturën Bajramit pas restaurimit ia mori dikush, atje lart…”
© Edmond Hasani




