Gjykata e Lartë e SHBA shfuqizon diskriminimin pozitiv në universitete
- Published in Andej-Këtej
Me 6 vota pro dhe 3 kundër, Gjykata e Lartë e SHBA ka rrëzuar sot (29.06.) praktikën e diskriminimit pozitiv në rastin e pranimit të studentëve në programe universitare, politikë kjo e aplikuar qysh nga fundi i viteve 60-të për të rritur numrin e studentëve të racializuar si dhe të pakicave të nënpërfaqësuara në kampuse. Vendimi u mor bazuar në një padi të depozituar në vitin 2014 kundër dy universiteteve më të vjetra private dhe publike në Shtetet e Bashkuara, Harvard dhe Karolina e Veriut, të akuzuar për diskriminim të studentëve me origjinë aziatike, numri i të cilëve nëpër kampuse do të ishte akoma më i madh, nëse kriteri i vetëm i vlerësimit do të ishte performanca akademike.
Gjyqtarët vendosën në favor të një grupi të quajtur “Students for Fair Admissions”, i themeluar nga aktivisti Edward Blum, i cili apeloi vendimet e gjykatave më të ulëta që mbështesin politikat inkluzive të përdorura në dy universitetet prestigjioze për të nxitur një kontigjent divers.
“Studenti duhet të trajtohet mbi bazën e përvojës së tij individuale dhe jo sipas kritereve racore. Shumë universitete kanë konsideruar gabimisht se baza e identitetit të një personi nuk është vënia e tij në provë, aftësitë apo dijet e fituara, por ngjyra e lëkurës së tij. Historia jonë kushtetuese nuk e toleron këtë”, ka argumentuar ndër të tjera në emër të shumicës, kreu i Gjykatës së Lartë të SHBA John Roberts
Kritikët, të cilët janë përpjekur t'i rrëzojnë këto praktika për dekada, argumentojnë se këto politika janë vetë diskriminuese. Shumë politikanë dhe zyrtarë republikanë kanë argumentuar se të hysh në një garë i avantazhuar është jokushtetuese, pavarësisht nga motivimi apo rrethanat. Disa madje, kanë nënvizuar argumentin se praktikat në fjalë nuk janë më të nevojshme, sepse Amerika ka lëvizur përtej politikave raciste të së kaluarës.
©Flasshqip.ca me informacion nga CBC
Foto: Getty Images/Al Drago



