Andej-Këtej

Martin Camaj, midis L. Riefenstahl dhe M. Dietrich - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi - Francë

Herë pas here poetit Martin Camaj i nxjerrin nga sirtaret disa dokumente ku tregohet se ai gjatë arratisë së tij ka patur një farë kontakti me shërbimin sekret amerikan, CIA.  Thuhet edhe se CIA e ka shpërblyer duke i paguar nja dy a tre pulla poste për dërgimin e librave.

Nuk mungon asnjëherë që një gjë e tillë të shoqërohet me komente që synojnë ta cilësojnë sikur ka punuar kundër atdheut të tij, sikur e ka tradhtuar atë, thënë shqip.

Meqë kontakte të tilla kanë ndodhur në Gjermani (më duket) po rrimë po aty për ta parë këtë veprimtari “kundër atdheut” në një dritë tjetër, me dy artiste mjaft të njohura gjermane, me Leni Riefenstahl dhe Marlene Dietrich.

Ndërsa e para punoi me zell dhe jo pa talent për regjimin nazist, M. Dietrich që u ndodh në Amerikë kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, jo vetëm që u vu menjëherë të mbledhë fonde për luftën kundër nazizmit, por edhe shoqëroi kudo trupat amerikanë në marshin e tyre edhe në atdheun e saj, në Gjermani për t’i inkurajuar në luftën e tyre kundër nazizmi.

Sot ajo adhurohet për artin dhe integritetin e saj moral. Për të Gjermania nuk mund të identifikohej me nazizmin, sikundër sot Shqipërinë e asaj kohë vetëm ndonjë mendje e shqetësuar mund ta identifikojë me regjimin komunist që e mbolli me 27 burgje (nëse nuk gaboj, nga 2 që ishin më parë) dhe me plot 32 kampe internimi, pa llogaritur gropat e përbashkëta që i sherbyen si varreza dhe të vrarët pa gjyq, që nuk u gjenden ende eshtrat.

Ka edhe një element që flet shumë. Sikundër propaganda naziste dhe të gjitha tmerret që lidhen me të, që sot identifikohen më fort me Leni Riefenstahl, ashtu edhe propoganda e regjimit të shkuar komunist në Shqipëri sot, më shumë se sa me disa emra hierarkësh, identifikohet me ca poetë, vargjet glorifikuese të të cilëve kujtohen ende, ndërkohë që fjalimet mediokre të tiranit janë harruar.

Midis alternativës Riefenstahl - Dietrich, Camaj ka bërë zgjidhjen e tij.

© Dashnor Kokonozi - Francë