Andej-Këtej

Demokracia nuk e ndalon askënd të bëhet kryeministër - Nga Fazli Mazreku

Mbesa ime 11 vjeçare, e cila përfundoi me sukses klasën e gjashtë, dëshiron të bëhet kryeministre e Kanadasë dhe t’i ndihmojë të pastrehët e shumtë që natën e kalojnë në rrugë, në dimër dhe në verë, sepse ata nuk kanë mundësi të paguajnë qiranë për banim.

Mbesa ime, gjëndjen e vështirë të të pastrehëve e kishte vërejtur kur kishte kaluar në rrugën Dundas, në qytetin London. Ajo kishte parë shumë njerëz të të gjitha moshave, me thasë plastikë në shpinë, të cilët rrinin ulur në trotuare, me veshje të palara, me flokë të palarë, me duar të zhubravitura e këpucë të shqyera. Ndonjëri prej tyre thithte marihuanë, apo cigare duhani, apo mbante edhe ndonjë shishe birre në dorë, disi të kamufluar, sepse alkooli nuk lejohet në vende publike.

Mbesa ime, që nga momenti që hasi në njerëz të vuajtur në zemër të qytetit me 400 mijë banorë dhe me mbi 6 mijë milionerë, brëngën e saj ia shprehu mësueses në shkollë, duke kërkuar shpjegim se pse shoqëria dhe qeveria nuk ndërmarrin hapa për të strehuar të pastrehët dhe pë t’i ndihmuar ata të jetojnë me dinjitet, si pjesa tjetër e popullatës.

Një burrë 45 vjeçar, i cili jeton në njërin ndër fshatrat e Kosovës, profesor, që e konsideron veten intelektual të lartë dhe patriot të paepur, dëshiron të bëhet kryeministër i Kosovës. Ai, thjesht dëshiron të bëhet kryeministër i Kosovës, edhe pse nuk ka ide e as vizion se çka duhet të bëjë, nëse rastësisht bëhet kryeministër.

Mbesa ime 11vjeçare ka mundësi të edukohet në njërin ndër universitetet më të mira të Kanadasë dhe të fillojë karrierën politike duke u angazhuar me punë vullnetare në komunitet, aty ku jeton, dhe gradualisht të angazhohet në jetën politike me njërën ndër partitë e mëdha të vendit, varësisht nga orientimi i saj politik dhe një ditë të garojë për deputete në Dhomën e Komunave të Parlamentit federal. Mbesa ime, nëse është e suksesshme në jetën profesionale dhe politike, mund të konkurojë edhe për lidere të partisë dhe në zgjedhjet federale, nëse partia e saj fiton shumicën, të emërohet kryeministre.

Burri 45 vjeçar, nga njëri ndër fshatrat e Kosovës, mund të jetë profesor i mirë, i devotshëm dhe i respektuar nga komuniteti dhe rrethi ku jeton. Por, ai e ka humbur hapin me kohën, sepse ai ka hyrë në politikë jo për shkak se politikën e ka parë si mjet për të zhvilluar vendin dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve, por thjesht për t’u bërë kryeministër. Burri 45 vjeçar, madje, ka ndërruar parti politike, gjithnjë me synimin për t’u bërë kryeministër. Dhe ai ende ëndërron të bëhet kryeministër i Kosovës. Për më tepër, ai flet me bindje të thellë se një ditë do të bëhet kryeministër i Kosovës, me votë apo pa votë popullore!?

Si do të bëhet kryeministër, e di vetëm ai, sepse ai ka dëshirë të bëhet kryeministër i Kosovës.

Mbesa ime 11 vjeçare ka një ëndërr: të bëhet kryeministre e Kanadasë.

Burri 45 vjeçar ka një endërr: të bëhet kryeministër i Kosovës.

Demokracia ka rregullat e veta dhe nuk e ndalon askënd të bëhet kryeministër.

© Fazli Mazreku - London, Ontario