Andej-Këtej

Vimy, këtu ku lindi Kanadaja - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi - Francë

Ja, në këtë transhe, diku poshtë e rrotull këmbëve të mia. Dhe nuk është metaforë.  Jemi në Vimy, në zemër të Francës. 

Më 1916 Lufta e Parë Botërore ka dy vjet që i ka shndërruar këto anë në varreza në qiell të hapur. 

Bota dora-dorës po hyn e gjitha në luftë. Nga forcat aleate të Komonuelthit (Afrikë e Jugut, Australi, Indi etj.) këtu do të vijnë e vendosen trupat kanadeze.

Janë gjithsej 100 mijë vullnetarë. Të rinj, të pamësuar, të keqarmatosur. Por për herë të parë ata vijnë e luftojnë si kanadezë dhe jo si anglezë. Atyre u është besuar marrja e lartësisë së Vimy-t (këtu ku jam unë, foto 06.10.2023), që nuk është   më e madhe se kodra e Kishës së Shën Prokopit në Tiranë, duke hequr një vijë nga Ekonomiku e deri te Garda.

Dëshpërimi ishte i madh midis aleatëve. Fronti nuk lëviz. Gjermanët nga kjo lartësi (140 m), kontrollonin gjithë zonën. Në atë luftë ata kishin ardhur me një shpikje të re, mitralozin. Para tyre ishin djemtë e pastërvitur kanadezë me pushkë të këqija që u bllokoheshin pas çdo qitjeje.

Por ndodhi ajo që nuk e priste njëri. Kanadezët do të shkaktojnë çudinë më të madhe të kohës: pas sulmesh, shpesh herë vetëvrasëse, ata do të marrin lartësinë e Vimy-t. 

Çmimi është rrënqethës: nga 100,000 mijë kanadezë, këtu do të vriten 65,000!

Emri i Kanadasë për herë të parë u shfaq me germa të mëdha në shtypin e të gjithë botës. Por shpesh edhe duke dhënë shpjegime se cili ishte ky vend, se nuk njihej. Të kuptohemi, si vend Kanadaja ka dalë më vete rreth 50 vjet para Shqipërisë, por gjithnjë ishte shfaqur nën hijen e Kurorës angleze. Madje, vazhdonin t’i merrnin për të tillë, anglezë. Jo bërtisnin ata, ne jemi kanadezë! Dhe vinin gishtin në hartë, duke shënuar një vend të ri, diku mbi Amerikë.

Ishte hapi i parë i Kanadasë në skenën ndërkombëtare, thotë shoqëruesja jonë.

Realisht, gjaku i asaj beteje kishte mbrujtur kombin kanadez.

P. S. Kjo tokë, sot është dhuratë e përjetshme e Francës për Kanadanë, mirëmbahet prej saj, shoqëruesit janë kanadezë. Foto e dytë është monumenti madhështor që Kanadaja u ka ngritur bijve të saj në Vimy.

© Dashnor Kokonozi