“Edhe macen… duhet me e zgjedh pe soji” - Nga Vangjush Saro
- Published in Andej-Këtej
Meditim
Sa vjen dhe e kuptoj më qartë përse thuhej në Korçë - siç dëgjoja qysh në fëmini - se “edhe macja do zgjedhur nga një shtëpi e mire”, thënë ndryshe “pe soji”… pra familje me dinjitet, me qytetari të sprovuar, që shikonin punën e tyre, që e kalonin mirë me fqinjët, që s’u dëgjohej zëri për sherr, vjedhje, krime…
Hë? Kështu lipsej të zgjidheshin edhe këta që janë në krye të vendit. Mirëpo qenkeshin zgjedhur - në fakt ofrohen vetë, duke shërbyer dhe “i pari” u vë gishtin - pra, qenkeshin zgjedhur e zgjidhen ata më të rrënuarit në çdo pikëpamje: Krijuan një sistem që s’është as socializëm (t’i marrin të keqen) as kapitalizëm, as demokraci, as dreq, por një hibrid i ndyrë. Kanë marrë nëpër këmbë shpresat e njerëzve; kanë sajuar kohë e pa kohë grusht shteti; u kanë bërë puç të vetëve për t’u zënë vendin ose për t'u mbyllur gojën. Nuk u nginjën së vjedhuri. Gënjejnë ditën për diell. Janë të pasjellshëm, fshatarë të pazhvilluar, njerëz kokëtrashë, me raste, edhe të dhunshëm. Më kot ne kërkojmë të mësojmë pse dhe si ai nxënësi rrahu zyshën e vet me karrike apo pse gjithandej ka vjedhje, aksidente e, sidomos, një etje aq tunduese për një pasurim të menjëhershëm, more të 99-at bëhen për të fituar me çdo kusht dhe sa më shpejt…
Modeli është përpara syve të adoleshentëve dhe qytetarëve shqiptarë, që vetëm ngrenë supet. Si mund ta themi ndryshe, kur këta e devijuan gjithçka në kafshëri. Këta (të gjithë, pa përjashtime) flasin si burgaxhinj; këta i bëjnë punët me miqësi dhe me taraf, me klientelizëm, me qasje partiake; dhe kjo thjesht është poshtërim për këdo që ka një tjetër vizion. Këta vunë sekuestro në çdo fushë: në privatizime, në tendera, në emërime, në lista të turpshme (si ajo e librave të MAS*). E mbytën Tiranën në kulla; u vodhën qytetarëve ajrin; s’lanë një metër vend për ndonjë lulishte a park e kënd sportiv… Këta i bënë (i bënë vetë ose i bënë sehir) të gjitha poshtërsitë e mundshme: gënjeshtrën, drogën, vjedhjen, vrasjen, shkeljen e kurorës, mburravecllëkun…
Si ishte ajo? Edhe macen mirë është me e zgjedh “pe soji” (!) Po hë, ku dhe si u gjendën këta?
Hajde, kurajo! Mbase ndryshon diçka më tutje.
*S’doja ta përfshija në tekst, për të mos e personalizuar dhe rrjeti s’e njeh teknikën e shpjegimeve me shkronja të vogla, por ishte fjala për një listë ku mungojnë autorë të spikatur të Letërsisë Shqiptare, vlerësuar nga Kritika Letrare, Mediat dhe Tregu, ndërkohë që (krahas emrave të njohur) aty ka: gjithfarëlloj pionierësh që sapo kanë botuar librushkën e parë; grafomanë soj-soj; kufoma të Realizmit Socialist e të ish-Sigurimit të Shtetit; anëtarë të jurisë, që doemos janë kujdesur të kenë botimet e tyre në listë; letrarë krejt të rastësishëm; botues që 'na qenkan bërë së fundmi shkrimtarë', etj. etj. Vërtet turp!
© Vangjush Saro



