Mbi filantropinë, shoqërinë, ardhmërinë dhe Universitetin Teknik të Zyrihut - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej
Kur në fund të shtatorit u mbajt “Swissalbs” në Zyrih, një mbrëmje për vlerësimin e potencialit novator dhe kreativ të sipërmarrësve shqiptarë në Zvicër, të pranishmëve iu drejtua Vllaznim Xhiha, një filantrop që në opinionin kosovar njihet si themelues i projektit “Bonevet”, i cili synon t'u krijojë nxënësve hapësirë kreative për formësim teknik në programim, elektroteknikë dhe mekanikë. Njëra nga fjalitë më të bukura dhe më të mençura në fjalimin e Vllaznim Xhihës në Zyrih ishte kjo: “nëse jeni bërë i pasur, mos mendoni se atë pasuri e keni krijuar vetë; janë plot e përplot njerëz që ju kanë shoqëruar në rrugëtimin tuaj dhe e kanë bërë të mundshme që të keni sukses. Rrjedhimisht, një pjesë të pasurisë do të duhet t’ia ktheni shoqërisë”.

Vllaznim Xhiha
Vllaznim Xhiha themeloi më 1993 në Zvicër ndërmarrjen “Newave”, e cila u specializua në prodhimin e aparateve që mundësojnë furnizim të pandërprerë me energji elektrike. Në vitin 2011 kjo ndërmarrje kishte një qarkullim vjetor prej 84 milionë franga dhe eksportonte në mbi 60 vende. Më 2012 Xhiha dhe partneri i tij i biznesit ia shitën ndërmarrjen kompanisë së madhe ABB Schweiz. Shumën blerëse ABB e pagoi në dorë. Një pjesë të pasurisë së tij Xhiha vendosi t'ia dhurojë të rinjve të Kosovës; u kthye në Kosovë dhe themeloi “Bonevet”.
Të premten u bë e ditur se Dieter Schwarz, ish-shef i Lidl, një rrjet gjerman i dyqaneve i shtrirë në shumë vende të Europës, do t’i dhurojë Universitetit Teknik të Zyrihut (ETH) një shumë rekord me të cilën kjo shkollë prestigjioze gjatë 30 viteve të ardhshme do të financojë 20 katedra (në Zyrih dhe në Heilbronn të Gjermanisë). Gazeta “Tages Anzeiger” shkruan se shuma e dhuruar nga 84-vjeçari Dieter Schwarz supozohet të jetë ndër donacionet më të mëdha apo ndoshta donacioni më i madh për shkencën zvicerane.

Dieter Schwarz
Universiteti Teknik i Zyrihut (ETH) organizoi një konferencë për media të premten për të informuar opinionin mbi këtë lajm të gëzueshëm. Në konferencë nuk mori pjesë Dieter Schwarz. Ai nuk shfaqet me dëshirë në opinion. Një përfaqësues i tij shpjegoi se nuk do të bëhet e ditur sa para ka dhuruar Dieter Schwarz. “Përmendjen e shifrave të mëdha unë e konsideroj krekosje”: këto fjalë ia përcolli opinionit filantropi Schwarz përmes përfaqësuesit të tij. Sipas magazinës “Forbes” pasuria e Schwarz llogaritet të jetë 35 miliardë franga.

Universiteti Teknik i Zyrihut (ETH) ka nënshkruar një deklaratë me Dieter Schwarz për të themeluar një qendër hulumtuese për “transformim të përgjegjshëm digjital me rrezatim global”. Deri më sot janë dhënë 22 çmime Nobel për shkencëtarë që janë apo kanë qenë të punësuar në ETH. Çmimet janë dhënë për kimi dhe fizikë. Mes të shpërblyerve janë edhe dy shkencëtarë kroatë: Leopold Ružička (1939) dhe Vladimir Prelog (1975), të cilët kanë ligjëruar në ETH. Studenti më i famshëm i ETH është Albert Ajnshtajni (më vonë edhe profesor në ETH). Sipas të gjitha gjasave studenti i parë shqiptar në ETH ka qenë Vllaznim Xhiha (në vitet 70-të).
© Enver Robelli & KOHA



