Dritë humanizmi - Nga Dashnor Kokonozi
- Published in Andej-Këtej

Dashnor Kokonozi - Francë
Armëpushimi i Krishtlindjes të vitit 1914 besoj se është ngjarja më e shënuar e të gjitha luftërave.
Fronti i Perëndimit, që shkonte nga diku mbi Paris e deri tutje në kufirin e Belgjikës me Gjermaninë, kishte ngrirë. Më saktë ishte mbytur në baltë. Ishte një luftë e palëvizshme. Transhetë ishin fare afër. Përveçse luftonin e vrisnin njëri-tjetrin, ushtarët edhe përshëndeteshin ndonjëherë. Nga mërzia qëllonte që edhe ngrinin zërin dhe këndonin së bashku, që nga transhetë e tyre.
Në vigjilje të Krishtlindjes, ushtarët gjermanë në afërsi të Saint-Yves këtu në Flandër, prenë dhe nisën të zbukurojnë bredha të Krishtlindjes, gjatë vijës së frontit. Britanikët bënë të njëjtën gjë. Pastaj dolën mbi transhe dhe u afruan të këndojnë bashkë në një “no man’s land” midis dy transheve.
Shkëmbejnë dhurata krishtlindjesh që nuk mund të ishin veç shishe alkooli, ushqime, duhan dhe nxirrnin dhe i tregonin njëri-tjetrit fotot e familjeve të tyre të cilat edhe i këmbenin.
Organizuan ceremoni varrimi të përbashkët të shokëve që ishin vrarë ato ditë e madje, në fusha të vogla dhe të improvizuara, bënë edhe ndeshje futbolli. Pastaj u ulën edhe të hanë e pijne bashkë, me çfarë u ndodhej
Krejt e paimagjinueshme!
Ishin thuajse 100.000 ushtarë anglezë dhe gjermanë që festuan përgjatë linjës së frontit nga dita e Krishtlindjes e deri për Shën Silvestër (Nata e Vitit të ri).
Një vëllazërim i tille ndodhi edhe në sektorë të tjerë të frontit midis francezeve e belgëve nga njëra anë dhe gjermanëve nga ana tjetër. Mbase jo me të njëjtin entuziazëm sepse nëse anglezët dhe gjermanët festuan në tokë të huaj (franceze), belgët dhe francezët pranuan të bëjnë diçka, por pa harruar se gjermanët me të cilët festonin kishin hyrë në tokën e tyre si pushtues. Më tej për këtë lëshim, do të pushkatohen shumë ushtarë e oficerë.
Ajo që ndodhi thuajse 110 vjet më parë, në mesin e asaj lufte të tmerrshme botërore, la të dukej drita e humanizmit që gjithkush ruan në zemër edhe në orët më të errëta.
Besoj në foton lart i dalloni ushtarin gjerman nga helmeta e tij (pickelhaube) në plan të parë dhe kapelen angleze pas tij.
© Dashnor Kokonozi



