Presidenti Xi i kërkon kancelarit Scholz në Pekin lidhje strategjike - Nga Auron Dodi
- Published in Andej-Këtej

Auron Dodi - RFGJ
Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz përfundoi një vizitë treditore në Kinë, i shoqëruar nga ministra federalë dhe shefa të kompanive më të mëdha gjermane. Ishte një takim, ku u theksuan gjërat që i bashkojnë të dy shtetet. Gjermania do të vazhdojë bashkëpunimin ekonomik me Kinën - pavarësisht dallimeve ekzistuese, ky ishte qëndrimi i palës gjermane. Edhe presidenti kinez Xi Jinping kërkoi që të zhvillohen marrëdhëniet dypalëshe nga një këndvështrim strategjik. Ai tha se “për sa kohë që ne u përmbahemi parimeve të respektit të ndërsjellë, duke kërkuar të përbashkëta, pavarësisht dallimeve dhe mësimit të ndërsjellë, marrëdhëniet dypalëshe mund të vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme”. Presidenti kinez kujtoi se Kina dhe Gjermania janë “ekonomitë e dyta dhe të treta të botës”. Ndaj zhvillimi i qëndrueshëm, i marrëdhënieve të tyre do të ketë ndikim jo vetëm “në të gjithë kontinentin euroaziatik”, por “edhe në të gjithë botën”.
Vizitë e gjatë dhe me jehonë në Kinë
Kancelari Scholz ndenji tre ditë të plota në Kinë. Atë e shoqëronin ministrat e Transportit, të Bujqësisë dhe Ambientit si dhe shefat e kompanive Siemens, Bayer, Mercedes, BMW dhe ThyssenKrupp. Bisedat politike në Pekin zgjatën jo dy orë sa plani, por tri orë e gjysmë.
Në Kinë, vizita e kancelarit gjerman qe lajmi i ditës - në një kohë kur vizita kryeministrash e ministrash shtetesh janë thuajse të përditshme, ndaj shihen të zakonshme dhe injorohen nga mediat. Por për kancelarin gjerman mediat kineze raportuan me dashamirësi. Në marrëdhëniet me Kinën, për shumë analistë, Scholz ndjek një qasje pragmatike, të ngjashme me atë të ish-kancelares Merkel.
Politikë: Ukraina në krye të bisedimeve
Luftën në Ukrainë kancelari Scholz e përmendi që në krye të bisedimeve. Scholz i tha presidentit kinez se lufta dhe agresioni i Rusisë prek “drejtpërdrejt interesat tona bazë”.
Xi iu përmbajt qëndrimit se Kina është “jo pjesëmarrëse” në “krizën e Ukrainës”. Këmbënguljes gjermane për të marrë pjesë në një konferencë paqeje për Ukrainën, ai iu përgjigj se e mbështet një format të tillë - nëse “të gjitha palët marrin pjesë në mënyrë të barabartë” dhe kur ajo të pranohet nga Rusia dhe Ukraina. Në mënyrë filozofike presidenti Xi shtoi “të gjitha shtetet duhet të kenë një vend në tryezë. Asnjë shtet nuk mund të jetë në menynë e ushqimit”.
Në fakt ky qëndrim kinez pritej në qarqet gjermane. Aq më tepër kur lufta lidh shumë burime perëndimore, që Perëndimi nuk i përdor dot në vend tjetër, ndaj Kinës p.sh. Analistë gjermanë mendojnë se presidenti kinez u përpoq ta bënte për vete kancelarin gjerman. Por të paktën, për momentin, Xi Jinping nuk lëvizi nga pozicionet e tij.
Interesi aktual i Kinës te Gjermania
Kina është e interesuar të përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin në politikën e Jashtme dhe dihet që Gjermania ka rol qendror në BE. Kina është e interesuar të depërtojë pa pengesë në tregjet perëndimore, por BE ka hartuar një listë konkrete kërkesash e kritikash ndaj Pekinit.
Xi është i interesuar që Gjermania të mos i dorëzohet presionit të Uashingtonit. Pak ditë para takimit, SHBA u shpërndanë gazetarëve materiale të deklasifikuara. Sipas tyre, Kina vërtet nuk dërgon armë në Rusi, por është furnizuesi kryesor i Rusisë me pjesë makinerish dhe mikroelektronikë për prodhimin e raketave, droneve, tankeve dhe avionëve. Uashingtoni po ushtron presion mbi shtete aleate edhe që të kufizojnë ose ndalojnë aksesin e Kinës në teknologji të ndjeshme, siç janë p.sh. disa mikroprocesorë modernë e pjesët e tyre.
Kina e interesuar për kapitalin gjerman
Kinës i intereson kapitali gjerman. Nga të gjitha investimet direkte të BE në Kinë, 58% e investimeve i ka bërë Gjermania. 5000 kompani gjermane zhvillojnë tani aktivitet në Kinë.
Eksportet gjermane në Kinë janë dy herë më të larta se eksportet e Francës, Britanisë dhe Italisë së bashku. Kjo doli në pah në një studim në shkurt, të Rhodium Group, me qendër në Berlin.
Nga ana tjetër, për Gjermaninë, vjet Kina avancoi në partnerin kryesor tregtar. Me 253.1 miliardë euro, importet dhe eksportet me Kinën, i kaluan shkëmbimet e Gjermanisë me SHBA me 0.7 miliardë euro.
Ekonomi: Automjetet elektrike kineze të mirepritur në Gjermani
Të dyja palët u shprehën kundër proteksionizmit ekonomik, megjithëse kuptojnë me këtë jo të njëjtat gjëra. Kancelari Scholz tha në Kinë, se automjetet elektrike kineze do të jenë të mirëseardhura në tregun gjerman. Frikën se automjetet kineze mund të përmbytin tregun evropian, ai e quajti pa bazë. Ai kujtoi se kjo frikë doli e kotë kur në Evropë u futën automjetet japoneze dhe koreanojugore me motor me djegie.
“Unë jam kreu i qeverisë së një prej vendeve më të suksesshëm eksportues në botë”, tha Scholz, në Shangai. “Baza e ekonomisë sonë është se ne jemi konkurrues në nivel global, kompanitë gjermane janë aktive në të gjithë botën - dhe për këtë arsye janë të varura nga tregjet e hapura”.
Kryeministrit kinez, Li Xijang, Scholz i tha se sipërmarrjet gjermane, mund t’i rrisin investimet në Kinë, por kanë nevojë për kushte më të mira. Kjo pasi sipërmarrës gjermanë ankohen për tendera që shpallen në minutën e fundit në Kinë dhe e kanë gjithnjë e më të vështirë ta përcjellin fitimin jashtë Kinës.
© Auron Dodi - DW Shqip
Foto: Michael Kappeler/dpa/picture alliance



