Andej-Këtej

Kush e ka pranuar publikisht se paguhet nga Serbia? - Nga Lis Bukuroca

“Nëse qeveria nuk fillon ta bëjë këtë (Asociacionin), ne do ta bëjmë.  Unë do të punoj me ata njerëz për ta bërë atë realitet!” Gabriel Escobar, 14.12.2022                                              

Ata vepronin gjoja si lehtësues e ndërmjetësues të dialogut Kosovë-Serbi, viktimë-agresor, gjersa Vuçiçi përgatiste e stërviste terroristë për të aneksuar Veriun e Kosovës. Si reagoi Perëndimi? I plogësht, i ngathët, i fjetur dhe i topitur.

As nuk patën guxim ta tematizojnë tutje: ta gjykojnë si duhet, apo t'i vënë sanksione Serbisë; e as nuk kanë guxim të kërkojnë arrestime, jo vetëm për terroristët, por as për ata që i rrahën ushtarët e NATO-s për spital.

Ndërmjetësuesit amerikanë dhe europianë do të marrin detyra të reja, jo vetëm për rotacion, por sepse nuk pritej më asgjë pozitive prej tyre. Ata nuk funksionojnë më dhe janë si bateri pa kokërr energjie. Escobar, Lajçaku, Borreli, e Hill e përkeqësuan gjendjen. Ata nuk arritën të sjellin asnjë rezultat: nuk sollën asnjë ndryshim. Ata i kishin pasë caktuar vetes vetëm një detyrë: T’ia përmbushnin dëshirat Serbisë duke e shndërruar Kosovën në autonomi të Zajednicës.

Ata shpesh ishin edhe arrogantë, agresivë, jo diplomatikë. Jo ndaj Serbisë, por vetëm ndaj Kosovës.

Pas përkëdheljes së Vuçiçit, që tani i falënderoi me dy “non grata” amerikane, ata lobistë serbë, nuk mund të kujtohen për diçka tjetër. Rrotacioni duhet ta përlajë me kamxhik pas edhe Christofer Hill. Ky madje është distancuar nga politika e Clinton dhe Bush.

Ata kur e dinë se Aleksandër Vulin qëndron pas përgatitjes së sulmit terrorist, e dinë shumë mirë se pas Vulinit qëndron Vuçiçi dhe që ai e ka pranuar se tri ditë para sulmit në Bajë, ishte takuar tri ditë rresht me Radojçiçin, por nuk guxojnë me vendosmëri të kërkojnë arrestimin. E kërkojnë me zë të ulët, ndërmjet rreshtave. Si të trishtuar. Plot ngurrim.

E si të arrestohet Radojçiç, kur ai ka vepruar me urdhrat e Vulinit?  Apo si të arrestohet Aleksandër Vulin kur ky ka zbatuar urdhrat e Aleksandër Vuçiçit?

Mirëpo fajet i ka Albin Kurti, jo ai që garanton se nuk do largohet kurrë nga Rusia e Kina dhe se nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Domethënë refuzon praktikisht përgjithmonë edhe BE-në, por Perëndimi shtiret se nuk po merr vesh. Çfarë domethënë kjo? Kjo domethënë se Serbia nuk dëshiron integrim të vërtetë në BE, por Macron dhe Scholz po sillen si në letargji me Putinin e Vogël, gjersa me armë e luftojnë Putinin e madh. Po heshtin edhe ndaj “miqësisë së çeliktë” dhe po përgatiten për ta ndëshkuar Kosovën dhe për t’u vënë në një rresht me Orbanin dhe Putinin.

Meqenëse Kosovës nuk i lejohet pranimi në Këshillin e Europës për shkak të shkeljes së marrëveshjes, pse atëherë nuk përjashtohet edhe Serbia për refuzimin e marrëveshjes?

Sukseset e Escobarit, Lajçakut e Borrelit:

Tri javë barrikada dhe bllokim i rrugëve në Veri të Kosovës u konsideruan legjitime nga Escobar;

Disa ushtarë të NATO-së në spital, ndonjë edhe invalid, heshtje, legjitime;

Sulmi terrorist në Kosovë, nuk ka sanksione, legjitim;

Mosnënshkrimi i marrëveshjes, legjitim;

Refuzimi i saj me shkrim, legjitim;

Mosrespektimi i asnjë pike të saj, legjitim;

Tallja me Perëndimin, legjitime;

“Non gratat” amerikane, apo agjentët rusë në qeverinë serbe, legjitimë dhe marrëdhënien e “çelikta me Kinën dhe Rusinë”, legjitime, apo jo Escobar, Lajçak e Borrel?

Dhe, fundi i fundit, gjersa Perëndimi lufton imperializmin e Rusisë Serbia është kundër Perëndimit, dhe, ata idiotë të dobishëm, që shpërfillin dështimin e vet në vija të trasha e të holla, presin ende që Serbia të integrohet në BE!?

Ata lobistë serbë, që gjoja vepronin si lehtësues të marrëveshjes, presin t’u besojmë se nuk paguhen nga qeveria radikale serbe!? E kush do të pranonte publikisht se paguhet nga Serbia?

Aq sa më shumë që i luten Serbisë, aq më shumë ajo sjell ushtarë pranë kufirit të Kosovës. E mësuan, e trimëruan Serbinë të si lazdrohet, jo si të zbatojë marrëveshjen.

E problemi ynë? Problemi ynë është se ne nuk kemi më asnjë ndikim në administratën e Biden. Nuk kemi më asnjë lobist që do ta zgjonte Biden. Dhe as Kryeministri, as Kryetarja nuk gjetën mënyrën për ta informuar atë. Patëm frikë nga Trump, ky së paku na solli një njohje, por Biden do të futet në histori si presidenti më i keq amerikan për Kosovën.

E Rama? Pasi Macron i premtoi Vuçiçit se do ta pengojë Kosovën dhe se do ta bindë edhe Scholz, u ftua Rama në Paris ku iu komunikua ai qëndrim e vendim. Heshtja e tij flet me zë të lartë. Fitorja e Serbisë i sjell disa miliarda Francës dhe 12 avionë armatës serbe për t’i luftuar fqinjët.

Politikanët e Kosovës duhet ta bindin Perëndimin se ne nuk duam t’i diskriminojmë qytetarët tanë serbë, por nuk duam që nëpërmjet tyre të diskriminohemi në Kosovë nga shteti i Serbisë.

© Lis Bukuroca