Një dhuratë Ukrainës për të testuar aviacionin rus - Nga Dritan Goxhaj
- Published in Andej-Këtej
Në vazhdën e furnizimit të Ukrainës me armë të ndryshme nga vendet anëtare të NATO-s, së fundmi është Suedia ajo që ka vendosur të ngrejë stekën dhe të bëjë dhurimin më domethënës ndaj saj. Ajo ka vendosur t’i dhurojë Ukrainës dy avionë AWACS (avionë për zbulim ajror) të tipit Saab 340 Erieye. Kur Suedia e bëri këtë publike para disa ditësh, e prezantoi sikur kjo do të jetë një gjë që do sjellë një ndryshim të madh të luftës. Por a mundet kjo dhuratë vërtet të sjellë ndryshimin e luftës dhe ta kthejë atë në favor të Ukrainës?
Le ta analizojmë duke e nisur si fillim nga kapacitetet e këtij lloj avioni.
Saab 340 AWACS është një avion i pajisur për të bërë monitorimin nga ajri dhe konsiderohet si avion për paralajmërimin dhe kontrollin e hershëm në ajër. Ky avion ka kapacitet të zbulojë objekte ajrore në një largësi deri në 400 km dhe pastaj të dhënat e zbuluara ia transmeton në mënyrë digjitale nëpërmjet lidhjes ndërvepruese të të dhënave, nëpërmjet sistemit të NATO-s Link-16, njësive në tokë, por edhe direkt avionëve në ajër.
Dhe këtu qëndron edhe kyçi i vendimmarrjes së Suedisë për t’ia dhuruar Ukrainës këta dy avionë në këtë kohë. Sepse në këtë kohë është planifikuar që Ukraina të fusë në përdorim avionët F-16 që ia kanë falur disa vende europiane të NATO-s.
Duke qënë se këta avionë AWACS mund t’ua transmetojnë direkt të dhënat avionëve F-16, kanë menduar se në këtë mënyrë do të kenë në kohë reale të dhëna për vendosjen e avionëve rus të tipit Su-25 dhe Su-34 që bëjnë bombardimet në pozicionet ukrainase në brendësi të territorit ukrainas, duke lëshuar bombat 500 dhe 1500 kg-she.
Në rast se kjo mund të ndodhë, atëherë do t’u hiqte rusëve vërtet mundësinë për të bombarduar trupat ukrainase dhe kështu do u jepte më shumë mundësi ukrainasve të përqëndronin më shumë forca afër vijës së frontit, dhe të mund të organizonin sulme me fuqi zjarri më të madhe e më të përqëndruar sesa munden në këto momente. Kjo do sillte më shumë humbje në radhët e forcave ruse, duke iu dhënë më shumë mundësi ukrainasve që në këtë mënyrë të mund të bënin të mundur ndalimin e avancimit të forcave ruse në të gjithë vijën e frontit.
Pra nga një analizë paraprake duke mos kalkuluar këtu faktorin tjetër, aviacionin rus, d.m.th. në kushte ideale, në mungesë të një kundërshtari ajror, këta dy avionë do të mund të bënin të mundur ndryshime thelbësore të rrjedhës së luftës.
Por realiteti nuk është ky. Realiteti është shumë më kompleks dhe në rastin tone lufta është një aktivitet 24 orësh, ndërsa kapaciteti i këtyre avionë për të qëndruar në ajër është maksimumi 5 orë.
Sipas një llogarie të shkurtër i bie që këta dy avionë nuk munden të mbulojnë në 24 orë hapësirën ajrore ukrainase, por do duhet ta bëjnë atë vetëm me raste të caktuara dhe vetëm me misone specifike. Dhe duke u ngritur vetëm në raste speciale dhe jo gjatë gjithë kohës, nuk mund të krijohet mundësia për të arritur të bëjë të mundur ndalimin e avancimit të forcave ruse në gjithë vijën e frontit.
Ky nuk është i vetmi problem. Problemi tjetër me të gjithë avionët e tipit AWACS është se çfarëdo që ata arrijnë të shohin edhe pala tjetër i sheh. Kjo do të thotë se në momentin që AWACS arrin të zbulojë një bateri raketore të tipit S-300/400 në tokë, menjëherë edhe radari i kësaj bateria e ka dedektuar avionin nëpërmjet valëve të radarit të emetuara nga avioni dhe që janë përplasur në radarin e baterisë për ta dedektuar atë. Dhe një bateri S-300/400 e ka aftësinë goditëse deri në 500 km. Kjo do të thotë se në momentin që avioni AWACS ukrainas ka dedektuar baterinë kundërajrore S-300/400 ruse, do të jetë brenda rrezes së goditjes së kësaj baterie, pasi aftësia zbuluese e këtij AWACS-i është 400 km.
Problemi tjetër është se edhe rusët posedojnë avionë AWACS të tipit Beriev që i kanë emëruar A-50, kapaciteti i të cilëve për dedektim të objekteve ajrore është 650 km. Kjo do të thotë se AWACS-i ukrainas nuk mundet të dedektojë një AWACS rus, ndërsa ky i fundit mundet ta bëjë këtë pa u marrë vesh nga AWACS-i ukrainas, dhe në të njëjtën kohë t’ia kalojë të dhënat jo vetëm baterive kundërajrore të tipit S-300/400 në tokë, por më problematikja, mund t’ia kalojë këto të dhëna direkt avionëve rus në ajër.
Rusët janë njëri nga tre vendet që posedojnë një raketë ajër-ajër për eleminimin e avionëve AWACS. Dy vendet e tjera janë SHBA dhe Kina. Rusët po ashtu posedojnë një raketë hipersonike ajër-ajër e tipit KS-172 me shpejtësi 4000 km/h ose 1.1 km/s. Sot për sot kjo raketë mban rekordin pasi është raketa e vetme në botë me rrezen më të gjatë të veprimit mbi 400 km. Ndërkohë që të gjitha llojet e raketave që do të jenë në përdorim të avionëve F-16 në Ukrainë nuk e kalojnë rrezen e veprimit prej 180 km. Kjo tregon se nuk do kenë mundësi të rrëzojnë asnjë avion rus po qe se rusët nuk do jenë brenda kësaj rrezeje, gjë që është pothuajse e pamundur të ndodhë.
Por këto nuk janë problemet e vetme që do të lindin për këta avionë të zbulimit ajror që i janë dhuruar Ukrainës. Problemi tjetër për këta avionë do të jenë avionët rusë të tipit Su-57 të gjeneratës së pestë. Dhe mesa duket me t’u marrë vesh lajmi se Suedia i dhuroi Ukrainës këta avionë AWACS, rusët janë gëzuar ndoshta edhe më shumë se vetë ukrainasit për këtë dhuratë. Pasi tashti ata do të kenë mundësinë të testojnë për herë të parë avionët Su-57, të cilët janë konsideruar sipas specifikimeve edhe si vrasës të AWACS-ve.
Dhe vërtetë Su-57 i duhet vetëm të zbulojë AWACS-in ukrainas, pastaj të afrohet për ta goditur, e më pas të largohet. E para zbulimi: Su-57 ka një radar me kapacitet zbulues 400 km. E dyta goditja: Su-57 ka një raket të tipi R-37 me rreze veprimi që fillon nga 150 km deri në 400 km dhe me shpejtësi 7000 km/h. E treta largimi : Su-57 i duhet që pas goditjes që nuk do e bëjë poshtë rrezes 250 km, të largohet jashtë hapësirës ajrore ukrainase për t’i shpëtuar goditjes së avionë F-16 që mund të jenë në ajër në atë kohë.
Duhet të presim për të parë sesi do performojnë këta avionë, pasi nëse vërtet rusët arrijnë të rrëzojnë ndonjë prej AWACS-ve ukrainas, atëherë Su-57 do të jetë avioni i parë në botë që arrin të rrëzojë një AWACS dhe kështu të tregojë se vërtet është avion i gjeneratës së pestë.
Mundësia më e madhe është që këta AWACS të mos hyjnë fare në Ukrainë për sa kohë të vazhdojë lufta, por edhe nësë hyjnë, personalisht besoj se do të përdoren vetëm në detyra specifike. Do të ngrihen vetëm në momentin që rusët do ngrenë në ajër avionët e tyre bombardues të tipit Tu-95, në mënyrë që të munden të zbulojnë raketat e lëshuara nga këta avionë, duke ia kaluar të dhënat avionëve F-16, që edhe këta do të ngrihen vetëm në këtë rast, dhe të munden të godasin këto raketa kur të mbërrijnë brenda rrezes së tyre të goditjes, duke arritur të minimizojnë kështu goditjet e rusëve ndaj objektivave strategjike në Ukrainë.
Nga gjithë sa më lart, duket se kjo dhuratë suedeze do të jetë për të testuar kapacitetet reale të rusëve në një luftim të tillë, për të parashikuar kështu a ka vërtet mundësi të hyjë NATO në një luftë ajrore me Rusinë, pasi në atë tokësore tashmë e ka parë që është e pamundur.
© Dritan Goxhaj



