Bota Shqiptare

Bohemi korçar Jaku Goja - Nga Agim Xhafka

Jaku Goja nuk ka të bëjë me Françesko Gojën. Është shqiptar, më saktë ishte, se nuk jeton më. Ka disa vjet që na la dhe fluturoi si engjëll. Kështu duhet folur për të. Mbante mbi vete veç virtyte dhe ishte plot stolira.

Për korçarët nuk lodhem hiç të shpjegoj se kush ishte Jaku Goja. Për të tjerët më duhet të rendis me disa radhë jetën e këtij bohemi.

Unë e kam pasur shtëpinë pranë Jakut. Nuk di nëse emrin e ka pasur kështu a ndryshe. Por për të gjithë, deri sa ai ndërroi jetë, ishte dhe mbeti Jaku. Ajo Goja nuk e mora vesh si iu ngjit, por në Korcë e shpjegoj si llagap, se qyteti ishte mbushur me thënie të tilla. Siç ndeshje për shembull Piro Buti, Ilkë Kokëmadhi, Nasi Gjuha, Spiro Speci, Petro Keci, Landi Mamaja, Gaqo Gjella, Peçi Bajamka, Koço Goxilla, Vangjo Buçe, Koci Kanarina, Stefo Rabecka, Kliti Kukumjaçka, e plot të tilla që ekzaktësisht tregonin një person publik të mëhallës a të qytetit.

Jaku deri sa u bë madhor punonte në Parkun e automjeteve. Si biçim motoristi a xheneriku. Nisej me kominoshe herët nga shtëpia dhe në darkë vinte i zi në fytyrën zeshkane, me duart dhe surratin plot vajra makine e nga larg mbante erë naftë. I lodhur dhe i panginjur me ushqim. E tek dera e priste shoqëria e natës, grupi i serenatave. Ata nuk bridhnin poshtë dritareve. As i këndonin ndonjë femre të caktuar. Këndonin për dashurinë, si vajza e të gjithëve, që mund të ishte ndryshe në përfytyrimin e secilit, por në këngë shfaqej si një muzë e bukur dhe plot adrenalinë rinore. Kjo kuptohej nga të bërtiturat në kupë të qiellit dhe nga kohëzgjatja e koncerteve deri afër mëngjesit. Të nesërmen sa agonte, Jaku çapitej drejt ofiçinës me po ato vajra e po atë erë nafte. Kështu deri sa një ditë...

-E more vesh për Jaku Gojën, mo?! - më tha Ndreçi Dosa. -Iku në Tiranë me punë, në Opera.

-Hahaha, - qesha unë. Siç qeshi gjysma e qytetit. Por ja që Jaku kishte hypur në skenën e Operas si bas i pastër dhe i padëgjuar në shumë vite e treva. Në fillim në kor, pastaj në shkollë e kështu Jaku mori mbiemrin artist.

Këtë rrugë e ndoqën plot zanatlinj korçarë që punonin për shembull zdrukthtarë, ose shoferë, ose oficerë dhe përfunduan këngëtarë lirikë. Pa bërë akademi e shkollë arti. Se auditore patën rrugicat, mësues patën përvojën dhe zelli u erdhi nga genet e të qënit korçar.

Kur m’u kujtua Jaku në Amerikë pasi po shihja në televizor një koncert me këngëtarë lirikë që ai i ve te thembrat, më erdhën ndërmend edhe plot të tjerë të grupit të Jakut; Petrika Zguro, Petrika Qorri, një me mbiemrin Terezi. Siç kujtova Gjergj Suljotin, tenorin e papërsëritshëm shqiptar, që dashuria për qytetin e ktheu nga Opera tek lagja ku u rrit. Para ca ditësh mësova se dhe ai ndërroi jetë. Iku dhe një bukë e grunjtë, thoshte ati im për talentet e rralla.

Kur isha student dhe kur nisa punë në Tiranë i gjeja bashkë të gjithë këta dashnorë të muzikës. Që punonin, që pinin pa kufi, që këndonin e ishin të shpenguar nga kufizimete asaj kohe. Bile çorodisnin edhe policët afër mëngjesit që kur e pyesni për emrin, u thoshte: “Jaku jam bre! Jaku jam!” E dimë, e dimë që ja ku je. Se të shohim, po kush je nuk na the, nervozoheshin me Jakun.

Ata jetonin mes pentagramesh, dëfrenin vetë e na dëfrenin dhe artin e jepnin pa biletë edhe në qebaptore, edhe në rrugica, edhe në Opera. Në një farë mënyre këta djem ishin Pavarotët tanë. Plot art të madh e mbushur plot thjeshtësi. Na injektuan në gjak muzikën si një mjaltë me polen Morave. Na bënë krenarë që jemi korçarë, bashkëqytetarë e miq të solistëve ardhur nga rruga. Të ardhur nga jeta dhe mbushur me gëzimet e njerëzve të uritur. Të uritur për bukë e të pangopur me art.

Jakut po i shtohen shokët andej matanë. Me siguri po e rikrijojnë grupin. E nuk do jetë çudi kur ndonjë natë të na vijë nga yjet serenata e tyre:

-O vemi, o s’vemi,

Në mes të qiellit ne jemi,

Atje ku dielli dhe hëna lot mbi re…

© Agim Xhafka

Foto: Nuri Çumani