Bota Shqiptare

Ta ruajmë gjuhën shqipe! - Nga Zejadin Dedinca

Sërish rri e mendoj për këtë gjuhën tonë, për mua më të mirë në botë. Nuk më hiqen nga mendja padrejtësitë që po i bëhen kësaj gjuhe të veçantë e unike, e papërsëritshme në llojin e vet. Tjetërsimet s’kanë fund. Pyes veten a brengoset dikush për të, apo ka mbetur vetëm në dorë të fatit?

Por si është e mundur që askujt nuk ia vret syrin menyja e restauranteve në gjuhë të huaj, në vend që të ishte në gjuhë shqipe, apo edhe rastet kur emërtimi në gjuhë të huaj shkruhet me shkronja të mëdha ndërsa shqip shkruhet me të vogla? A thua se jemi azilantë në ndonjë vend të huaj e jo autoktonë, në vendet tona të bukura “shqiptari”.

A kaq e vështirë është t’i emërtojnë ushqimet në gjuhën shqipe? Pse nuk kërkojnë ndihmën e gjuhëtarëve? Mos ndoshta nuk duan ta kërkojnë ndihmën qëllimisht sepse ashtu duan të “evropianizohen” më shumë?

Keq, shumë keq! Jemi një popull i vogël por kemi traditë, kulturë, zakone, parime, e besime, e gjuhë unike, pse të ndërrojmë e harrojmë vlerat tona, përderisa janë ato që na bëjnë shqiptarë?

Kujtoj gjithashtu emërtimet e dyqaneve, emërtimet e rrugëve, titujt e librave, këngët, e shumë e shumë të tjera që përmbajnë fjalë në gjuhë të huaj. Në këso situatash do të duhej të kishte ligje dhe sanksione për ata që i thyejnë ato. Do të duhej të kishte ligje, sanksione dhe rregulla për mospërdorimin e gjuhës sonë shqipe në të gjitha rastet kur është e mundur, e nevojshme dhe e arsyeshme varësisht nga vendi apo rasti për të cilin bëhet fjalë. 

Po lëmë në një anë këto, po filmat për fëmijë, videot, ka kaq shumë që janë në gjuhë të huaja dhe shumë pak ose pak fare janë në shqip. Duhet të planifikohet një pjesë nga buxheti i shtetit për krijimin e videove dhe filmave të animuar për fëmijë, sepse fëmjët na janë shndërruar pothuajse të gjithë në dygjuhësorë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, fëmijët po flasin më mirë në gjuhë të huaj, sesa në gjuhën tonë të ëmbël, në gjuhën shqipe.

Kjo shkon edhe më tutje dhe nuk mbetet me kaq, kjo po vështirëson edhe procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies sepse nxënësit nuk arrijnë t’i kuptojnë shumë fjalë nga mësimdhënësit dhe pastaj ngecin në mësime. Vazhdon dhe më tutje pastaj në dështime në testin “Pisa”.

E dimë se komunikimi hap shumë dyer, por edhe mund t’i mbyllë nëse nuk bëhet ashtu siç duhet. Andaj tjetërsimi i gjuhës është njëra ndër çështjet më të rëndësishme që duhen diskutuar sot, nesër, pasnesër dhe çdo ditë derisa të arrihet të bëhet diçka sa i përket këtij aspekti dhe të mënjanohen këto probleme madhore, por që në dukje duken të vogla. Këto po lënë gjurmë në të tashmen tonë, dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen në qoftë se nuk ndërmerren masa.

Ajo që i frikësohem më shumë është se në opinionin publik është krijuar një lloj rehatie sa i përket këtyre çështjeve dhe janë normalizuar këto çështje sikur janë gjëra normale dhe duhet të ndodhin sepse po zhvillohet teknologjia. Në rregull teknologjia le të zhvillohet, por nuk ka pse ta lejojmë të asgjësojë një popull të tërë. Them kështu sepse është gjuha ajo që e dallon një popull nga një tjetër, dhe tjetërsimi i gjuhës për mua do të thotë asgjësim i popullit.

Unë kam folur, flas dhe do të flas gjuhën e të parëve të mi, por brezat pasues kam frikë se do të flasin gjuhë të tjera si gjuhë amtare. Dhe për këtë temë unë kam folur, dhe do të vazhdoj të flas, sepse më dhemb shpirti që po tjetërsohet gjuha e shpirtit tim, gjuha e të parëve tanë, gjuha për të cilën luftuam ne dhe ata para nesh.

Andaj le ta mbrojmë atë, të vetmen gjë që na dallon, që na bën shqiptarë, që na bën ta mbajmë kokën lart, sepse kemi një gjuhë unike, duke qenë një gjuhë si degë më vete në trungun e gjuhëve indoevropiane. Kemi një gjuhë me të cilën asnjë gjuhë tjetër nuk është e njëjtë si ajo, andaj ta ruajmë si të tillë!

© Zejadin Dedinca