Përse fitoi Albin Kurti? - Nga Ylli Pango
Portreti është më shumë psikologjik sesa politik.
Njerëzit tek ne zakonisht e harrojnë këtë aspekt me rëndësi: psikologjinë e personalitetit. Atje në Kosovë jo!
Kurti ka personalitet të fortë, solid. Një personalitet i fortë i bën njerëzit të ndjehen të sigurt. Aq më shumë kur ujkun e kanë te dera e s’po ju ndahet me angullima. Ndonjëherë edhe me kafshime.
Kurti është Lider që vjen nga protestat kundër dhunës serbe, reperkusionet, ka provuar burgun. Ai nuk vjen nga prehëri përkëdhelës i regjimeve të shkuara totalitare a pushtuese
Ai personalisht nuk ka as edhe një akuzë për korrupsion
Kurti nuk është as makut e as obsesiv pushteti. Ka dhene dorëheqje edhe si kryetar partie e ka qenë gati për dorëheqje edhe nga posti kryeministror kur si alternativë për të mbetur në pushtet i është dhënë të pranojë cënimin (sado pak) të integritetit të vendit. Pak a shumë veprimet dhe qëndrimet e tij në gjithë-kohë mund të formulohen kështu: “unë nuk pranoj të lëshoj e as të ndërroj asnjë pëllëmbë Kosovë. Nëse doni mos më votoni a bëjeni me të tjerë që do ishin gati ta mbanin atë turp e tradhëti bashkë” (mos harroni disa këndej e andej ishin gati ta bënin).
Në vijim të sa më sipër: Kurti mbetet patriot në fjalë e vepër. Ai ndjek devizën: “asnjë pëllëmbë Kosovë nuk do lëshohet e le të përgatitemi për çdo rast”.
Sidoqë e kanë mbrojtjen e superfuqisë e Europës, vendi po armatoset për ditë të këqia. Kur erdhi rasti ua tregoi vendin provokacioneve serbe.
Kurti ësht konsistent, i qëndrueshëm në bindje dhe trim; asnjëherë nuk ka shfaqur frikë dhe as lëkundje karshi presioneve e shantazheve. Sado të mëdhenj të ishin ata që i bënin. U mendua që po e thyenin. Koha tregoi të kundërtën. Fitoi ai. Edhe ata andej e kanë kuptuar e së fundmi e dinë mirë se në një rajon kaq problematik, më tepër se një thupër e lakueshme, u duhet një pemë e fortë e rezistente.
Kurti është i artikuluar e konçiz në fjalimet a kontaktet e tij. Esencial. Pa fjalë të tepërta boshe, jo teatral. Pa narcizizëm. Ai nuk shijon veten kur flet. Ndjek modelin e plakut të urtë që të bën ta dëgjosh me vëmendje e të kuptosh.
Ai jeton thjesht me një grua e familje të thjeshtë. Mbetet model për këndej e për andej edhe në këtë aspekt.
Tani merrini këto të gjitha për këndej e për andej e krahasojini me të atjeshmit e sidomos me të këtushmit. Një për një.
Del se përse ka kaq ndryshim. Nga koka në këmbë.
Ka një teori të modeleve në psikologji. Cilido që ka sy e mend e ndjek modelin e duhur apo atë që pëlqen. Kemi pra Modelin e Kurtit atje, e “modelet” (velinat) këtu. Dihet nga i madh e i vogel se imitimi i modelit fillon nga lart e vijon përhapet deri poshtë. Në çdo qelizë. Modeli i mirë, kur është konsistent, e zgjatet në kohë në një vend, bëhet endemik. Sëmundja e keqe po ashtu...
Dhe së fundmi, Kurti ka fituar duke u bazuar në këto tipare, por edhe në një llogari të thjeshtë aritmetike që në Kosovë natyrisht ka ditur ta bëjë shumica e zgjedhësve: Po të fitonin ato dy a tre partitë e tjera së bashku, si zor të merreshin vesh si do i ndanin copat, lere pastaj të qeverisnin së bashku; do të kishte sërish instabilitet; askush s’e do (më kujtohet 97 tek ne kur mbretëroi anarkia e të gjithë kërkonin qeveri pa le të qe si të qe: veç anarki, plumba e mbyllje ne shtëpi që në drekë jo!).
Kësisoj në Kosovë populli zgjodhi variantin më të mirë. Popull me mend…
© Ylli Pango

















