Blog

Shqiptarët dhe kompanitë ajrore - Nga Enver Robelli

Duket se shqiptarët nuk kanë pasur shumë fat me themelimin e kompanive ajrore. Pas dështimit të kompanive Ada Air, Belle Air, Albawings, Albatros Air dhe Albanian Airlines, tashmë duket se ka dështuar edhe Air Albania, pasi i është pezulluar liçenca. Megjithatë, në uebfaqen e kësaj kompanie ende qëndron slogani: “Air Albania - Krenaria e Shqipërisë”. Pas kanë mbetur pasagjerë të frustruar, rroga dhe tarifa të papaguara të lizingut.

Në fillim të korrikut 2021, fluturimet nga Aeroporti i Kukësit nisën me bujë. Ndërkohë, sot në pistën e këtij aeroporti zhvillojnë gara shoferët aventurierë, ndërsa pranë saj kullosin gomarët. Reklamat për Aeroportin e Kukësit mund të shihen ende te sportelet e pagesës së taksës së autostradës pranë tunelit të Kalimashit, aty ku shoferët (përfshirë ata nga Kosova) shpesh “fluturojnë” me veturë deri në 170 km/h, ndonëse shpejtësia e lejuar është vetëm 70 km/h.

Për sa i përket Aeroportit të Vlorës, nuk dihet se kur do të hapet, duke pasur parasysh konfliktin mes qeverisë dhe “investitorëve”. Për momentin, i vetmi aeroport funksional mbetet Rinasi (Tiranë).

© Enver Robelli

Foto: Blerim Shala