Trashëgimi

Mozaiku i Rrëshenit - Nga Ndue Dedaj

 Ndue Dedaj

“Valltaret mirditore”, vepër artistike e piktorit të njohur Lin Loci

Artistët lënë shenjën e tyre në gur e në mur. Artist ka qenë ai që ka pikturuar piktogramet e Rubikut në lashtësi, ai që ka pikturuar afreskët e kishës së Shëlbuemit po aty, ai që ka shkroluar me petroglife Gurin e Xhuxhës, ai që ka gdhendur shqiponjën e Arbërit të Gëziqit në Mesjetë. Por dhe sa e sa të tjera objekte si këto, në një hapësirë relativisht të vogël gjeografike si Mirdita. Apo qoftë dhe deri në Pllanë, ku kemi të tjera piktura murale në kishën e Shna Premtes. Të gjithë ata pikturues mbetën anonimë, por jo veprat e tyre që iu përcollën njerëzimit si një pasuri tejet e çmuar.

Koha moderne i nxori piktorët nga anonimati dhe i futi në studio. Elbasani, Korça, Shkodra etj., do të kishin herët piktorët e vet, kurse në vitet ’60-’70 filluan të kishin piktorët e tyre edhe qytetet e vogla të vendit. Ishte kënaqësi, habi dhe diçka vërtet intriguese ta shihje piktorin e ri Lin Loci të pikturonte në qytetin e vogël të Rrëshenit. Peizazhe, portrete, natyra të qeta. Deri te mozaiku “Valltaret mirditore”, një pikturë vezulluese e rrallë, që sa më shumë të kalojë koha aq më shumë shkëlqim do të marrë. Mozaiku, sipas një artisti italian të shekullit të pesëmbëdhjetë është “piktura e vërtetë që jeton në përjetësi”.

“Valltaret mirditore” është i vetmi mozaik i këtij qyteti 75-vjeçar, i një moshe me autorin e tij, piktorin e njohur Lin Loci, diplomuar në fillim të viteve ’70 në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Një piktor i peizazhit, por dhe i pikturës dekorative, ku përfshihet dhe kjo pikturë murale, nga më përfaqësueset e artit të tij, qëndisur prej gurthish të vegjël si një antarí nuseje me filigram. Gjovalin Loci, për shkurt Lin, ka qenë njëherësh dhe etnograf i pasionuar, që ka qëmtuar veshjet e vjetra karakteristike të Mirditës për disa festivale të Gjirokastrës, për rreth tridhjetë vjet. Hijeshinë e kësaj veshjeje, nga më të bukurat në botën shqiptare, e pasqyron dhe mozaiku tepër i veçantë i tij, i vendosur në hyrje të godinës 7-katshe me arkitekturë moderne, mbështetur në stilin e kullës së trevës, ndërtuar për hotel- turizëm më 1989, por që nuk u përdor si i tillë.

Godina sot shërben si seli e Ipeshkvisë (Dioqezës) së Rrëshenit. Në brendësi të godinës, në katin e parë, janë dhe disa mozaikë të tjerë me motive kristiane, realizuar me mjeshtri, të po këtij autori, i cili pikturën e mozaikut e pati ushtruar për disa vite dhe në emigracion, në kishat e Greqisë dhe të Italisë, në Kretë e Bolonjë. Onufri, piktori i parë mesjetar shqiptar, përmendet se pati futur elementë etnografikë në pikturën e tij, ashtu dhe Lin Loci, në gjurmë të mjeshtrit të shquar të ikonografisë shqiptare, e ndërton Mozaikun e Valltareve mbështetur në etnografinë e veshjes mirditore që e njihte aq mirë.

Ne e shijojmë këtë vepër njëlloj si mozaikët e Butrintit e të tjerë, edhe pse ky është krejt i ri. Por me kohën do të vjetërohet dhe ai dhe në një të ardhme mbase do të përmendet në enumeracion me “Afreskët” dhe “Piktogramet e Rubikut”, “Gurin e Xhuxhës” etj. Por ta lëmë atë kohë, pasi ajo i bashkërendit vetë vlerat e ngjashme të epokave të ndryshme, sot kemi detyrimin ta njohim këtë vepër të shquar dhe t’ua rekomandojmë turistëve.

Piktori Lin Loci, mësuesi dhe miku ynë, nuk rrojti gjatë, shkoi në amshim në marsin e vitit 2001 krejt papritur, në moshën 53-vjeçare. Këto pak radhë, për njërën nga veprat e tij, lë të jenë njëherësh dhe një kujtesë për artistin dhe familjen e tij të nderuar në Rrëshen, më së shumti e përbërë prej mësuesish; babai i tij Ndue Loci ishte mësues dhe librari i parë i qytetit, Lini shërbeu vetë si mësues i Vizatimit teknik në gjimnazin e qytetit, mësues dhe i vëllai Marku, dhe e shoqja Tonja, dhe e bija Aida, ashtu siç familjarët e tij shërbyen dhe në profesione të tjera.

© Ndue Dedaj