Trashëgimi

Po ndodh në Berat!

Është bukur të jesh me pushime e midis ditëve të rezervuara të bësh një shkëputje për turizëm kulturor në Berat. Diçka e bukur do ia tërheqë vëmendjen edhe turistit më të lodhur. Këto ditë për shembull mund të qëllonte të ishit spektatorë të “Festivalit MultiKulturor Berat” i cili ka nisur që prej datës 19 e deri më 21 korrik 2018 në Edicionin e tij të V, me arte pamore, trashëgimi kulturore dhe muzikë nga tabani folkloristik shqiptar.

Një nga pasuritë kryesore të Shqipërisë, është pikërisht folklori muzikor. Gjurmët e lashtësisë së muzikës folklorike shqiptare janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike, skulptura, basoreliefe, terrakota, etj.  janë përfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj.

Sipari i festivalit u ngrit në mjediset e Muzeut Etnografik, ku u shpall edhe lajmi i marrjes së Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga shteti Austriak, me praninë e kreut të misionit diplomatik të Austrisë në Shqipëri, si bashkudhëtarë të Festivalit Multikulturor Berat. U vijua me një performancë artistike nga një bandë muzikantësh austriakë.

Më tej u krye përcjellja e nuses beratase për ta pritur krushqit e sazet përmetare, në një inskenim me muzikë dhe rituale prej dasme shqiptare, për të vazhduar në shesh me Pleqtë e Krujës dhe Ansamblin Popullor të Beratit. Tri ditë e kryesisht net, me axhendë të ngjeshur artistike, presin të pranishmit, vendas, vizitorë të Festivalit, turistë e të ftuar special.

Mbrëmja e sotme kushtuar mërgimit, vjen emocionuese nga grupi i Himarës dhe nga ai i Gjirokastër, për të vazhduar me grupin e Fierit në përmbyllje të mbrëmjes.

Ndërsa në natën e fundit më datë 21 korrik, do të jetë nata e “atdheut” me muzikën baritore të Fyejve të Gramshit dhe iso polifonike nga grupi i Gjirokastrës. Përshëndetja përmbyllëse do të jepet prej oborrit të Teqesë Helvetive, për të lënë takimin me publikun për vitin e ardhshëm.