Trashëgimi

Vizitoni mozaikun e Bazilikës Paleokristiane të Elbasanit

Përmes rrjetit social Facebook, Arkivi Digjital Elbasan ka njoftuar se mozaiku i një prej monumenteve më të rëndësishëm të qytetit të Elbasanit, Bazilikës Paleokristiane extra-muros, mund të vizitohet gjatë këtyre ditëve nga publiku i qytetit apo dhe nga vizitorët e turistë që u bie rruga aty.

Bazilika Paleokristiane e Elbasanit është një monument i trashëgimisë kulturore i llojit "arkitekture", i shpallur i tillë prej Maj 2009.

E ndërtuar në shekullin V, Bazilika ndodhet në qendër të qytetit, pranë rrapit të famshëm të Bezistanit dhe vlerësohet një ndër monumentet më me vlerë të zonës. Zbulimi i mozaikut u bë i mundur në gjysmën e parë të vitit 2007, gjatë gërmimeve të kryera në këtë bazilikë në një thellësi rreth 3 m.

Specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, bashkë me studiuesen franceze Marie-Patricia Raynaud, bashkëautore e librit “Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë” dhe Z. Agron Islami, përgjegjës i sektorit të artit pranë IMK, ndodhen sërish në terren, duke punuar dhe dokumentuar të gjitha të dhënat e nevojshme rreth mozaikut të Bazilikës Paleokristiane.