Himni Kombëtar i Shqiptarëve
Himni “Rreth flamurit të përbashkuar” është pranuar si Himni Kombëtar i Shqiptarëve në vitin 1912. Fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni, muzika është kompozuar nga Ciprian Porumbesku - kështu shkruhet në librin “The Guinnes Book of Music”.
“… kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë”. - thotë Lasgush Poradeci.
Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare. Ndërsa lidhur me fjalët e himnit, Poradeci thotë se “Në asnjë vend të botës, nuk gjejmë një himn kombëtar i cili t’i kushtohet po një simboli tjetër kombëtar siç është flamuri, dhe që të dy së bashku t’i kushtohen atdheut”.
Ja poezia e plotë e “Betimi mi flamur”-(Hymni patriotik) e shkruar dhe publikuar nga Asdreni në vitin 1908:
Himni i Flamurit
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.
Në dorë armët do ti mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë,
Këtu armiqtë s'kanë vend.
Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.
O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
Për nder` edhe lavdimn` e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet` ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhe si një shenjtor!