Trashëgimi

Rent, or Marathonomak - Nga Fan Noli

Nga: Fan Noli

Rent, or rent, rent e u thuaj

Se u çthur ordi e huaj,

Se betejën e fituam

Dhe qytetin e shpëtuam!

Rent, or rent,

Rent, or Marathonomak!

 

Kap një degë prej dafine

Dhe vërtitesh ndaj Athine,

Nëpër fush' e brek mi brek

Këmba tokën as t'a prek,

Hip' e zbrit,

Petrit, Marathonomak!

 

Ke një plagë, po s'e the,

Djers' e gjak pikon për-dhè;

Do që ti të jesh i pari,

Për triumfin lajmëtari

Flamur-gjak,

Kuqo, Marathonomak!

 

T'u tha gryka, po s'të pihet,

T'u mpi këmba, po s'të rrihet,

Se mileti po të pret,

Ankthi zëmrat ua vret,

Vrer e tmerr,

Shpejt, or Marathonomak!

 

Kurrë kaqë s'dogji djelli

Dhe si plumb s'rëndovi qjelli,

Kurr' aq ëmbël' e bukur s'ftoj

Hij' e lisit edhe kroj;

Turru tej,

Tutje, or Marathonomak!

 

Vapa mbyt e pluhri nxin

Ferra çjerr e guri grin

Afsha gjoksin përvëlon

Syrin avulli verbon;

Ur' e prush,

Furr', or Marathonomak!

 

Gryka si gjyryk të çfryn

Prej Vullkani flag' e tym

Se ç'vëngon e se ç'gulçon,

Zëmra brinjët t'i çkallmon

Me tokmak,

Mbahu, or Marathonomak!

 

Nëna, motra, nusja dalin,

Ngrehin krahët të të ndalin,

Mos, se s'janë veç Najada

Magjistrica dhe Driada;

Lark, or lark,

Lark, or Marathonomak!

 

Hajde, ja Akropolia,

Ja qyteti e njerëzia

Që të pan' e që të çquan

Dhe fuqinë t'a rishtuan

Ha dhe pak,

Hajde, or Marathonomak!

 

Ja, arrive, ua the:

Ç'gas e ç'helm qe kjo myzhde!

"E fituam!", brohorite

Dhe për tok' u përpëlite;

Vdiq, or vdiq!

Vdiqe, or Marathonomak!

 

Rent kudo, dyke bërtitur,

Nëpër shekuj faqe-ndritur,

Se i vogli shtrin viganin

Dhe i shtypuri tiranin,

Veç e tok,

Tok, or Marathonomak!