Trashëgimi

Çdo të thotë fjala "zdroms"? - Nga Flurans Ilia

Në varësi nga aerodinamizmi i lëvizjes dhe goditjes, fjala "zdroms" nënkupton një kopsë, pullë, gomçe, palltoje, xhakete, e lidhur jo me veshjen por me të ashtuquajturën: Loja me Pulla e fundviteve '80. Natyrisht shumica prej jush nuk ka si ta dini këtë, për efekt të moshës, pozicionit social, si edhe lëvrimit gjuhësor. Por le t'i marrim me radhë gjërat për të kuptuar vegjen që luan shkëlqesija e saj, Fjala.

1.Efekti i moshës për të kuptuar fjalën "zdroms". Fëmijëria jonë nuk ka njohur lojrat elektronike. Luanim pranë dheut dhe jashtë mureve të shtëpisë. Vizatohej një trekëndësh në tokë i quajtur "buxhaku" ku vendosej “buxheti” që kishte gjithsecili në xhep. Kopsa të vogla këmishash - çikërrima, kopsa ushtarake - vlerë dizenjoje, pullalinjtë - me ornamente, më famozja prej tyre legjenda e quajtur "Gjaçe". Kush kishte "gjaçe" ishte mbret. Kjo e fundit shërbente për goditje (në Tiranë quhej "kupac") nga pëllëmba e dorës me gishtin e dorës tjetër. Nishanllinjtë ishin të rreshtuar në një vijë të drejtë pak metra larg "buxhakut". Kishte nga ata që e godisnin objektivin nga kjo largësi. Këta ishin mjeshtrat që fitonin dhe zotëronin arsenalin më të madh të kopsave, pra hierarkia e lagjeve të fëmijërisë. "Zdromsi" ishte në vetvete një "gjaçe" jo perfekte qysh në gjenezë dhe kur gjuhej, në vend të ikte drejt objektivit, fluturonte "zdrënkthi" pra ishte më tepër si tip orbite, rreth i shtypur, "gjuajte si zdroms", "të shkoi goditja zdrënkthi", thuhej atëherë. Sot, me anglizimin e shqipes, ekuivalenti i "zdromsit" është "looser".

2.Pozicioni social i lojtarëve me "gjaçe" qysh në atë kohë i kishte ndarë prioritetet e veta me një largpamësi mahnitëse. Kishte parashikuar dhe vënë në zbatim mu nën hundën e shtetit totalitar, principin e tregut te lirë. Mekanizmin për t'u pasuruar. Ndarjen në oligarkë dhe mëditës në Lojën e madhe të Pullave! Konkurenca bëri që rrugët tona të ndaheshin. Një pjesë e jona me brisqe Astra ndër duar u prisnin pensionistëve kopsat e palltove nëpër lulishte dhe autobusa. Pjesa tjetër për të mbijetuar shpiku duke vjedhur renovatoren e famshme të epokës: "Xhakartën e Kombinatit"! Kjo ishte një rondele e cila për të qenë sa më efikase i zihej vrima me një kopsë të vogël dhe bëhej njësh në trup dhe flatrim. Kishte një efikasitet mahnitës në goditje. U përmbysën shumë mite dhe legjenda, kampionë dhe patriarkë, oligarkë dhe të fortë. U ndamë në "xhakartistë" dhe "pullalinj", pas nesh vinin "zdromsat". Kështu që lufta për fitore dhe pasuri ka pas qenë e ndezur qysh në atë kohë, nuk filloi sot. Me ndërrimin e pushteteve dhe rënien e sistemit në vigjilje të viteve '90, Loja me Pulla doli jashtë Loje!

3.Lëvrimi i gjuhës në të gjithë këtë histori është si qershia mbi tortë. Sepse çdo epokë, fëmijëri, lagje, lokal, qytet, fshat, krahinë, histori banale apo trill artistik, rrugë dhe idolatri fjalëpërdoruese, mbart me vete një gjuhë të caktuar që ka një ekuivalencë gati fenomenale në raport me përdorimin e fjalës. Me kalimin e viteve edhe fjala humbet, zëvendësohet me të tjera, pushtohet nga fjalë të huaja, fjalë tregu, gjuhë zyrtare, shqipe standarde pooo, por ama pa ngjyrimin lokal të saj, vendin ku lindi dhe vdiq si fjalë, epokën e vet. Ja pra, vjen një çast si ky që ju pyesni veten se çdo të thotë fjala "zdroms"?

©Flurans Ilia