Trashëgimi

Fatos Arapi: Dashuritë me emrin Tanja, tragjeditë me emrin Tanja - Nga Bardhyl Londo

Në vitin 1987 më ra rasti të shkoj ne Bullgari me poetin tonë të madh e të paharruar Fatos Arapi, në një takim shkrimtarësh ballkanikë. Fatosi kishte studiuar atje dhe Tanjën që e kishte dashur, nuk e kishte fshehur asnjëherë, edhe pas prishjes së marrëdhënieve. Emrin e saj e permendte shpesh në poezi: dashuritë me emrin Tanja, tragjeditë me emrin Tanja.

Bullgarët na pritën aq mirë, sa na quajtën dallëndyshet e para, se ishte pas shumë vitesh që shkonin për herë të parë shkrimtarë shqiptarë atje. Pas drekave e darkave që vazhdonin me orë, e shikoja Fatosin që nxirrte nga çanta e vogël ku mbante dhe djetën tonë mjerane prej pesë dollarësh në ditë, një copë letër dhe telefononte nga telefonat e rruges.

Pas dy ditesh e pyes: a e ke takuar Tanjën? Jo, me thotë, ku ta takoj? E marr në telefon e s’më del njeri në shtëpi. Edhe pas dyzet e ca vjetësh, ai ruante ende numrin e saj të telefonit.

A e mban mend shtepinë, e pyeta. Si jo, tha. Hajde shkojme bashkë, i thashë. Jo, se të marr më qafë dhe ty, u përgjigj. O Fatos, i thashë, pse beson njeri se ke ardhur në Sofie dhe nuk e ke takuar Tanjën, kur ti emrin e saj e ke në shumë poezi? Pastaj nuk është fare njerëzore të mos ta takosh.

U ngjitëm në katin e dytë të një shtëpie dykatëshe. Ziles i rashë unë. Doli një plake me të zeza si plakat tona të Jugut. Fytyra ime nuk i thoshte gjë. Kur pa Fatosin prapa meje, klithi "oh Fatosi" dhe iu hodh në qafë. Hajdeni brenda, tha. Kundër deshirës sime, Fatosi nuk pranoi. Mirë, tha plaka, Tanja është në punë, vjen pas një ore. Do t’i them të vijë tek hoteli ku rrini.

Pas një ore, Tanja erdhi. E bukur, shtatgjatë, bjonde, sykaltër. Pas ndarjes me Fatosin, ajo kishte pasur një tragjedi më të madhe. Ishte martuar, divorcuar, ish-burri punonte në Ambasaden Bullgare në Budapest dhe vinte çdo verë, e merrte djalin katërmbëdhjetë vjeçar dhe e mbante disa ditë në Budapest. Në një aksident automobilistik djali vdes. Tragjedia e Tanjës ishte e shumëfishtë. Nuk rri më dot në ketë vend, me tha, do iki në Kanada. Dhe vërtet me ra rasti të shkoja pas ca kohe përsëri në Sofie, e kerkova dhe më thanë që kishte ikur në Kanada.

Ditën e fundit të qëndrimit në Sofie, dolëm të blinim ndonjë gjë për të afërmit. Unë doja të blija një palë çizme për gruan time të ndjerë, që atëherë nuk gjendeshin në Tiranë. Tanja këmbenguli të mi dhuronte. Natyrisht që nuk pranova. Rrugës duke u kthyer në hotel i thashë Tanjës: Sot u munduam si Krishti. Pse, me tha. Se u munduam për të tjerët. Në mes të bulevardit të Sofjes ajo më hodhi duart në qafë dhe më puthi. Ktheva sytë nga Fatosi dhe e pashë që po qeshte me të madhe. Dhe më vjen mirë ta kujtoj kështu, sepse gjithë jetën e kam parë veç me sytë që i lotonin.

©Bardhyl Londo