Trashëgimi

“Plisi Arbanas” ose uniformat ndërrohen, por jo Kësula - Nga Burim Bardhari

Shqiptarët kurrë nuk kanë luftuar kundër vëllezërve të gjakut, ndryshe nga propaganda përçarëse që dinakërisht shtrembëron faktin bujar, pavarësisht se ata tek tuk u përfshinë në disa beteja të shkëputura që ishin vetëm mes uniformave të huaja. Ndonëse shqiptarët e pandihmuar i përplasi fati në njërin tabor ose tjetrin, varësisht bindjeve fetare dhe ideologjike, ato ishin përplasje dy kampesh ndërluftuese që nuk kishin të bënin me plisin mbi kokë, simbolin e lashtë të zanafillës së gjithësisë.

Në mungesë të shtetit të mirëfillte arbanas stërgjyshërit tanë përvetësuan mbiemra të huaj por mjerisht edhe u veshën me lloj-lloj uniformash të shartuara mbi trupat e tyre të pafajshëm për të cilat uniforma ata detyroheshin të luftonin, jo se deshën dhe ndonjehere kundër vëllezërve të gjakut edhe pse gjaku nuk ishte çështja aspak por uniformat e shpifura.

Mirëpo, për ata shqiptarë që nuk hoqën plisat nga koka, vetë uniforma ishte dytësore dhe e përkohshme, ata me trup i shërbenin pushtuesit shtypës të radhës por me shpirtin që spikatej mbi kokë ata shfaqnin tjetër përkushtim të qenësishëm, për atdheun e tyre të pushtuar, Arbania.

Të gjithë shqiptarët anekënd Gadishullit Ilirik qoftë edhe matanë detit janë vetëm ARBAN-as, bashkë me arbëreshët, arvanitasit, arnautët, dardanët, iliridasit - të gjithë një prejardhje kanë. Përcaktimi kosovar është referim politik i huaj që ndoshta mund të rikthehet natyrshëm më vonë në dardan, por edhe percaktimi “çam” është i njëjtë që përshtatshmërisht manipulohet nga greket për ndasi fetare sepse edhe ata janë Arbanas (arëban - punon arën) dhe të gjithë NJË ZOT besojnë, Perendinë që nuk merret me politikë.

Nëse shfletojmë libra të vjetër me fotografi bardhë e zi, qoftë edhe video arkiva të perandorive, duket qartë se në mesin e këtyre turmave kishte plotë plisa arbanas, por ata nuk njiheshin me emrin e vërtetë sepse ishin të shtypur nga uniformat ideologjike të huaja. Bashkëpërfshirja me ideologji, nga feja ose shtetësia sot është mënyra më subtile e rekrutimit të vegjëlive. Shqiptarët janë edhe vendas edhe kanë gjuhë të lashtë, prandaj duhet t'i ripërvetësojnë mbiemrat e të parëve sepse gjuha amtare bashkë me mbiemrat e mirëfilltë shqip janë tapia historike që i mbron nga shpronësimi.

©Burim Bardhari