Trashëgimi

Diploma në lëkurë dreri - Nga Vangjush Ziko

 Vangjush Ziko

Kujtimit të Dr. Gaqi Qanos (1910-1985), njërit nga themeluesit e Stomatologjisë Shqiptare

Në një nga auditoret e Temple University of Philadelphia u mblodhën njëri pas tjetrit në shkallët e amfiteatrit studentët dhe të ftuarit. Ndaheshin diplomat e studentëve, që kishin mbaruar studimet akademike në vitin 1936.

Atmosfera ishte sa solemne, po aq edhe gazmore. Gëzimi rrezatonte jo vetëm në fytyrat e diplomantëve, por edhe në fytyrat e të ftuarve dhe të trupës akademike që ishte e pranishme në sallë.

Në podiumin përballë sallës zuri vend komisioni i ndarjes së diplomave me në krye rektorin e universitetit, të veshur të tërë me uniformat ceremoniale. Edhe studentët kishin veshur uniformën e tyre me pelerinën e zezë, kapelat i mbanin përbri.

Në sallë ra heshtja.

Rektori u ngrit më këmbë dhe mbajti fjalimin përshëndetës të rastit, duke përmendur sukseset e institucionit në vite, kuadrot që kishte nxjerrë dhe ishin shpërndarë nëpër klinikat dentare gjithandej Amerikës, nga Jugu në Veri.

Filloi ndarja e diplomave. Studentët ngjitnin shkallët e podiumit dhe plot emocion merrnin dokumentin, pasaportën e profesionit të tyre. Vitet e bukura dhe të lodhshme të studimit kishin marrë fund, ata i priste jeta, puna me njerëzit, me pacientët dhe problemet pa fund të profesionit të tyre aq delikat dhe aq të nevojshëm për higjenën e gojës, të dhëmbëve prej nga fillon jo vetëm bluarja dhe shijimi i ushqimit, i shëndetit njerëzor, por edhe i estetikës njerëzore, i buzëqeshjes, që shpreh bukurinë dhe fisnikërinë e shpirtit human.

Thirrën edhe një emër të ri që u shqiptua ashtu siç ishte shkruar në diplomë: George L. Quano.

Diplomanti George L. Quano u ngrit dhe eci drejt podiumit i qetë dhe i hijshëm, i veshur me pelerinën e tij të zezë të shndritshme me jakë të gjerë të aranzhuar me pëlhurë të bardhë; ai kishte veshur këmishë të bardhë të kollarisur dhe kishte lidhur me kujdes një gravatë të dekoruar me figura rombike ngjyrë vishnjë. Fytyra e tij ishte e pashme dhe plot shëndet, fistoni i mustaqes së tij të hollë i jepte seriozitet, kurse sytë e tij shkëlqenin, ndërsa në cepin e buzëve i lodronte buzëqeshja e tij karakteristike. Shokët e donin dhe e respektonin për krenarinë dhe fisnikërinë e shpirtit të tij, për aftësitë e tij intelektuale superiore dhe modestinë e tij të natyrshme, çmonin sensin e humorit të tij të lezetshëm karakteristik.

George Quano u përkul me respekt përpara komisionit, i shkoi pranë rektorit, që mbante në dorë diplomën e tij. Ishte një diplomë e veçantë e stamposur mbi lëkurë të hollë prej dreri amerikan, diplomë që u jepej vetëm studentëve me rezultate të shkëlqyera gjatë gjithë viteve të studimeve akademike.

George u bë gati të zgjatë dorën për ta marrë, por rektori i bëri një pyetje para se t'ia dorëzonte.

-Ku kërkoni të punoni në SHBA pas studimeve universitare?

-Në Albania, - u përgjegj aty për aty George.

-Albania?! - pyeti rektori pak i habitur. - E keni fjalën për në Albany te New York. Pse jo në shtetin Massachusetts?

-Më falni, ndërhyri studenti me respekt - As në Albany e as në Massachusetts, por në vendin tim me emrin Albania.

Në sallë u bë një heshtje e çuditshme. Rektori kërkoi t'i sillnin një hartë. I sollën një glob.

-Ma trego, të lutem, se ku bie ky vend i panjohur për mua.

George e rrotulloi globin gjersa gjeti më në fund vendin e tij dhe vuri gishtin tregues mbi të.

-Të lutem, hiqe gishtin se nuk e shikoj dot.

Rektori e pa një copë herë dhe e pyeti i habitur:

-Në një vend kaq mikroskopik?!

-Ky është vendi më i madh për mua, zoti rektor. - iu përgjegj studenti plot krenari dhe me buzëqeshjen e tij karakteristike që i lodronte në cepat e buzëve.

-Urime dhe punë të mbarë!

Rektori i zgjati diplomen e stamposur në lëkurë të hollë dreri të butë si pelush.

-Faleminderit! - iu përgjigj studenti Gaqi Ligor Qano nga Dardha e Korçës.