Trashëgimi

Një përshpirtje për Faik Konicën në Ditën e Verës - Nga Dorian Koçi

Sot në ditën e Verës na vjen ndërmend Faik Konica që ringjalli traditën e vjetër përmes shkrimit rreth kësaj dite në shtypin shqiptar. Me revistën e tij kulturore “Albania” dhe gazetën "Dielli" ku ishte editor, Faik Konica i dha një pasaportë kombit tonë. Ai krijoi në faqet e saj një Shqipëri si duhet të ishte, kur ende nuk kishim një Shqipëri politike. Gjeti mes leximeve tij shkrimet e Plinit për festën pagane dhe i dha një shpjegim vazhdimësisë së festimit të kësaj dite mes shqiptarëve.

“Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës. Në pak ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikë padashur dhe pa dijtur, do të rrethojnë me verore degët e thanavet, të dëllinjavet, të dafinavet të gjithë shelgjeve të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do ti venë mbi kryet e shtëpivet.”