Trashëgimi

Sandër Prosi i pakeqpërdorur - Nga Mehmet Elezi

Mehmet Elezi

Sa herë shiheshim, ma përsëriste të njëjtën dëshirë, që nuk iu përmbush kurrë:

-Kur do të vijë ajo ditë, që të luaj në një film për Bajram Currin. Bacën due me e luejtë, Bacën!

Zëri i vinte si klithmë. Ndihej dëshpërimi, që do ta rrëzonte shumë shpejt.

Ka qenë 1978-a, sa qe vendosur ngrica midis Tiranës e Pekinit dhe unë u ndodha në Fierzë me shërbim si gazetar, ndërtohej hidrocentrali. Drejtuesit në redaksi më kërkojnë në telefon një "jehonë", sipas terminologjisë së atëhershme të gazetarisë, domethënë një raport si ish pritur njoftimi i ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën, përfshirë intervista punëtorësh, brigadierësh etj., që duhej ta mbështesnin fuqishëm "vendimin historik" të partisë.

Midis baltës dhe zhurmave pafund, një befasi e këndshme: diku te tunelet, një fytyrë e njohur dhe krejt e veçantë për atë mjedis. Sandër Prosi, nën helmetë minatorësh. Nuk më kujtohet kish ardhur "për të mësuar nga klasa", siç dërgoheshin herë pas here grupe shkrimtarësh e artistësh në kantieret e mëdha, apo përgatiteshin me luejtë ndonjë film.

E pyes për konfliktin me Kinën. Mendoja me e citue në gazetë.

-Po të kallëzoj një histori të vjetër, më thotë.

Kamionët e rëndë që kalonin stuhishëm përskaj të shurdhonin, lumi e erërat po ashtu. Megjithatë zëri i tij po bëhej zotërues.

-Shkon Padishahu i madh me vizitue burgun e Stambollit. I pyet të burgosurit një për një: përse të kanë dënuar ty? Njëri kish vrarë, tjetri kish vjedhur. I dëgjon Sulltani e, kur i mbushet mendja, urdhëron të falet ky ose ai. Të burgosurit mundoheshin me iu afrue sa më shumë e me ia qa hallin, se mbase fitonin lirinë.

Sandri prani pak, duke i rrudhur sytë.

-Vetëm një i burgosur nuk shqetësohej me lëvizë vendit. Një bina e gjatë, dy metra po, mbërthyer në hekura. Paskesh qenë shqiptar, malsor, ai burrë. Rrinte e nuk bëzante. Padishahu intrigohet prej shpërfilljes së tij. "Po ty përse të kanë rrasur këtu?", e pyet.

"E ç’rëndësi ka", i përgjigjet binaja e gjatë. "Ka rëndësi, se mbase të bëj derman", i thotë Sulltani.

"Asnjë derman nuk mund të më bësh, Madhëri", thotë i burgosuri, i bezdisur prej pyetjeve të shumta. Rojet e Sulltanit venë duart te shpata, të gatshëm me e shpague fyerjen, por sulltani i qetëson me një shenjë.

"Unë jam i plotfuqishëm", i thotë, "hape gojën çfarë lyp e sa hap e mbyll sytë e ke në dorë!". Shqiptari i pranguar tërheq zvarrë zinxhirët e rëndë, që kërcasin.

"Padishah i Madh, thotë, nuk desha me të vu në provë. Boll i madh je në këtë dhé, po hallin tim s’e zgjidh dot. Eshtë i vështirë ky halli im: a je i zoti me ma zgjatë qafën nja një pëllëmbë më shumë?".

Artisti i madh flet, gjithnjë në këmbë, midis ushtimës dimërore të ujërave e erërave në grykë të Drinit.

-Rojet sërish dëshmojnë padurim. Kujtojnë se qe i marrë ose donte me u shpotitë me Madhërinë e tij. Padishahu po dëgjonte e ata sërish zbuten.

"A je i zoti me ma zgjatë qafën edhe nja një pëllëmbë më tepër? Nuk mundesh me ma zgjatë, u vetëpërgjigj i burgosuri më i heshtur i Stambollit. E pra unë dëshiroj me e pasë qafën të gjatë. Të gjatë, për me vonue fjala derisa të dalë. Me vonue fjala e me u përtypë mirë. Përndryshe ti më liron sot e prapë nesër këtu më ke!".

Si rrallëherë, tek ai burrë bashkoheshin në një, Artisti i madh dhe Njeriu me shkronjë të madhe.

(nga libri “Shkrimtarë pa leje”)