Trashëgimi

Trashëgimia natyrore e Shqipërisë

“Trashëgimia natyrore e Shqipërisë” (Vlerat, rreziqet dhe menaxhimi) është libri më i ri nga Prof. Dr. Perikli Qiriazi, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Sipas studiuesit Qiriazi kur pjesë e trashëgimisë janë vlera të mjedisit natyror, kemi të bëjmë me trashëgimi natyrore, ndërsa kur bëhet fjalë për vlera materiale e shpirtërore të shoqërisë, kemi trashëgimi kulturore. Ndërsa kur trashëgimia natyrore është vlerë e rrallë në shkallë ndërkombëtare, cilësohet “trashëgimi botërore”.

Çdo vend i kulturuar e cilëson dhe e trajton si të shenjtë trashëgiminë natyrore dhe kulturore, ndaj ky studim i prof. Qiriazit është i një rëndësie jo vetëm në informacionin e hollësishëm që jep mbi këtë pasuri, por dhe hulumtimin e kujdesshëm që i bën kësaj trashëgimie. Ai e sheh Shqipërinë si një muze të madh natyror me resurse të jashtëzakonshme, çka e bëjnë atë një vend të rëndësishëm krahas vendeve të tjera që e posedojnë këtë lloj trashëgimie. Ruajtja e kësaj trashëgimie është një detyrë kombëtare.

Libri i Prof. Dr. Qiriazit e ngre shkencën shqiptare në të njëjtin nivel bashkëkohor me libra të këtij karakteri që botohen sot në botë, duke na treguar profilin e një shkencëtari par exelence.

Prof.Dr.Perikli Qiriazi

“Do ishte kënaqësi e veçantë nëse do të ndihmonim në zgjimin e interesit për këta tempuj të natyrës; për njohjen, mbrojtjen dhe shfrytëzimin shkencor të tyre për qëllime shkencore, turistike, kulturore, didaktike, për edukimin ekologjik atdhetar, dhe për t’ua përcjellë brezave këto vlera natyrore e kulturore të trashëgimisë sonë dhe të vlerësuara shkencërisht”, -shprehet studiuesi.

“Midis 1073 siteve (korrik 2017) të kësaj liste me dinjitet të plotë dhe vlera unike, qëndrojnë sitet nga vendi ynë dhe nga hapësira gjeografike shqiptare jashtë kufijve tanë politikë: Rajca dhe Gashi me pyje primarë dhe të vjetra ahu të Karpateve dhe rajoneve të tjera të Europës; Butrinti; Gjirokastra; Berati; rajoni i liqenit të Ohrit dhe kompleksi i manastireve dhe i kishave mesjetare në Kosovë. Krahas tyre janë shpallur: Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespë – Ohër, e para rezervë biosfere ndërkufitare Shqipëri-Maqedoni që iu bashkua rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës dhe katër ligatina të kategorisë ndërkombëtare Ramsar: Laguna Karavasta – Pisha e Divjakës, Liqeni i Shkodrës – Lumi Buna; kanali i Çukës – Butrint – Kepi i Stilit dhe kompleksi natyror i liqeneve të Prespave, me sipërfaqe të përgjithshme 98180 ha (2013)”-shkruan studiuesi Qiriazi në parathënien e këtij botimi, i cili ia vlen të jetë pjesë e bibliotekës personale të çdokujt.