Java Kanadeze - Lajme shkurt 02.02.2025
- Published in Kanada

Cavendish Beach - Prince Edward Island
-British Columbia, Shtetet e Bashkuara vendosin gurë për të shënuar kufirin me provincën kanadeze
-Alberta, kryeministrja Smith e zhgënjyer nga vendosja e tarifave prej Donald Trump
-Manitoba, provinca përgatitet për përballimin e tarifave doganore amerikane
-Nova Scotia, qeveria kufizon aksesin e kompanive amerikane në tenderat publikë provincialë
-Quebec, kompania shtetërore e alkoolit do të heqë produktet amerikane nga raftet e saj duke filluar nga e marta
-Ontario, më 27 shkurt do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme provinciale
British Columbia - Patrulla kufitare e Shteteve të Bashkuara në shtetin Washington ka vendosur gurë të mëdhenj përgjatë një pjese të kufirit me British Columbia për të penguar kalimet e paligjshme me automjete. Sipas patrullës, numri i këtyre kalimeve është në rritje. Seksioni në fjalë përfshin pjesë të 99th Street West në Blaine, një qytet kufitar i shtetit me Surrey, një periferi e Vancouver. Sipas shefit të patrullës kufitare të zonës, Rosario Pete Vasquez, që nga viti 2023, 85 automjete kanë kaluar ilegalisht kufirin pranë Blaine. "Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë banorët e veri-perëndimit të Washington dhe të sigurojmë integritetin e kufirit tone", i deklaroi Vasquez CBC. Sitiata e pasigurt e kufirit u vu në pah më herët gjatë kësaj jave, kur një video që tregonte një kalim të paligjshëm u shpërnda në rrjetet sociale. Në këtë video, shihen disa persona duke hyrë në Kanada, që vendosin dërrasa druri në tokë për të kaluar një hendek të vogël me një furgon të zi. Njëri prej tyre ishte në kërkim nga autoritetet amerikane për vjedhje. Pesë personat u arrestuan më pas nga RCMP, policia federale kanadeze. Keith Cozine, profesor i asociuar i sigurisë së brendshme në Universitetin St. John's të New York, beson se vendosja e barrierave të reja lidhet me rikthimin në pushtet të Donald Trump. Ky i fundit ka akuzuar Kanadanë se nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar trafikun e drogës që kalon përmes kufirit. Megjithatë, Cozine pohon se njerëzit që duan të kalojnë kufirin ilegalisht do të gjejnë mënyra të tjera për ta bërë këtë. "Këtë e shohim në kufirin me Meksikën, ku njerëzit bëjnë investime të mëdha për të ndërtuar tunele nën kufi. Kur ka vullnet dhe inovacion, njerëzit gjejnë mënyra interesante dhe kreative për të anashkaluar barrierat fizike", tha ai. Laurie Trautman, drejtoreshë e Institutit të Kërkimeve mbi Politikat Kufitare në Universitetin e Western Washington, mendon se mënyra më e mirë për të siguruar kufirin është përmirësimi i bashkëpunimit midis dy vendeve, për shembull, duke ndarë informacione dhe duke bashkëpunuar në mbikëqyrje. "Sipas mendimit tim, një pjesë e madhe e asaj që po ndodh me barrierat fizike është një lloj teatri politik", deklaroi ajo.
Alberta - Kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, shprehu zhgënjimin e saj për faktin që presidenti amerikan vendosi tarifa doganore për produktet kanadeze. Pas javësh kërcënimesh, Donald Trump nënshkroi të dje (01.02.) një dekret që vendos tarifa doganore prej 25% për të gjitha produktet kanadeze, me përjashtim të naftës dhe gazit, të cilat do të taksohen me 10%. “Ky vendim do të dëmtojë si kanadezët, ashtu edhe amerikanët dhe do të vërë në provë rëndësinë e marrëdhënieve dhe aleancës midis dy vendeve tona”, deklaroi ajo në një postim në platformën X. Kryeministrja konsideron se përpjekjet diplomatike të qeverisë së saj dhe të industrisë së energjisë kanë ndikuar pjesërisht në vendimin e SHBA për të vendosur tarifa më të ulëta mbi naftën dhe gazin. Paul Colborne, presidenti dhe drejtori ekzekutiv i Surge Energy, një kompani eksplorimi dhe prodhimi nafte me bazë në Calgary, gjithashtu beson se këto përpjekje kanë qenë të dobishme. "Mendoj se Danielle Smith veproi në mënyrë të zgjuar kur shkoi të takonte Donald Trump dhe riafirmoi se ne kemi qenë partnerë tregtarë të Shteteve të Bashkuara për 120 vjet", deklaroi ai për CBC. Megjithatë, sipas Charles St-Arnaud, kryeekonomist në Alberta Central, amerikanët e kuptuan se ekzistonte një rrezik i madh i rritjes së inflacionit nëse vendoseshin tarifa të larta mbi naftën dhe gazin. "Tarifat doganore mund të kenë ndikime të forta mbi konsumatorët, gjë që e bëri presidentin të tregohej më i kujdesshëm," beson ekonomisti. Ai shton se energjia do të jetë thelbësore për Shtetet e Bashkuara nëse ata dëshirojnë të rivendosin një bazë industriale në territorin e tyre. "Një tarifë doganore prej 25% mund të ishte shumë e dëmshme për objektivat e tyre", theksoi ai.
Manitoba - Manitoba po përgatitet të përballet me pasoja të mëdha ekonomike pas vendosjes së tarifave të reja doganore nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kryeministri Wab Kinew i ka cilësuar si një "sulm të vërtetë ndaj kanadezëve". Prodhuesit, bizneset dhe drejtuesit politikë druhen nga dëmtimi i sektorëve kyç dhe nga mijëra vende pune të rrezikuara. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Porc Manitoba, Cam Dahl, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Kanadaja do të humbasin. "Konsumatorët dhe fermerët nga të dy anët e kufirit do të jenë humbësit më të mëdhenj", ka deklaruar ai për Radio-Canada. Ndikimi do të jetë i madh, jo vetëm për blegtorët e derrave në Manitoba, por edhe për të gjithë provincën. Çdo vit, provinca eksporton më shumë se 450 milionë dollarë mish derri dhe 200 milionë dollarë bagëti drejt Shteteve të Bashkuara. Tarifa prej 25% mund të shkaktojë një ndërprerje të tregtisë me tregjet më të mëdha të Manitobës për mishin e derrit, në dëm të një industrie që mbështet rreth 23 000 vende pune. "Për Manitobën, nuk ka tregje të tjera për eksportin e gjësë së gjallë përveç Shteteve të Bashkuara," tha Dahl, duke shtuar se "në afat të shkurtër, nuk ka opsione të realizueshme për të zëvendësuar eksportet e mishit të derrit nëse ka një boshllëk në kërkesën nga ky vend". Kryeministri i Manitobës, Wab Kinew, i ka cilësuar tarifat e vendosura nga Shtetet e Bashkuara si një sulm ndaj kanadezëve dhe ka siguruar se provinca do të mbështesë plotësisht përgjigjen e qeverisë federale. "Trump ndërtoi një mur, por është një mur tarifor dhe ai po na godet", ka deklaruar ai, duke u bërë thirrje kanadezëve të qëndrojnë të bashkuar. "Nëse kërkoni mënyra për t'u kundërpërgjigjur, mos harroni të blini produkte vendase dhe të mbështesni mallrat kanadeze. Vendi ku zgjidhni të shpenzoni paratë tuaja është një nga vendimet më të rëndësishme që merrni", ka thënë Kinew në mesazhin e tij.
Nova Scotia - Qeveria e Nova Scotia-s njoftoi dje (01.02.) në mbrëmje disa masa kundër tarifave doganore të shpallura nga Shtetet e Bashkuara. Kryeministri Tim Houston deklaroi se Nova Scotia do të kufizojë aksesin e kompanive amerikane në tenderat publikë provincialë, duke paralajmëruar madje se mund të anulohen dhe kontratat ekzistuese. Tim Houston theksoi gjithashtu se Nova Scotia do të refuzojë ofertat amerikane pa i shqyrtuar, për shkak të tarifave të paligjshme të presidentit Trump. Ndërkohë, çmimi i taksës në kalimin kufitar Cobequid do të dyfishohet për të gjitha mjetet komerciale që vijnë nga Shtetet e Bashkuara duke filluar nga nesër (03.02.). Së fundi, qeveria e Houston urdhëroi Nova Scotia Liquor Corporation (NSLC), autoritetin provincial të kontrollit të alkoolit - të heqë nga raftet e shitoreve të tij çdo produkt alkoolik me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, duke filluar nga data 4 shkurt. "Është e pazakontë të gjendemi në mosmarrëveshje me mikun dhe fqinjin tonë më të mirë", shkroi në X Tim Houston. "Do të bëj gjithçka që kam në dorë për të mbrojtur interesat e banorëve të Nova Scotia-s dhe familjet e tyre që punojnë fort. Banorët e Nova Scotia-s janë shqetësimi im kryesor", tha kryeministri. Ai shtoi se qeveria e tij mezi pret të njihet me planet e Ottawa për të mbështetur qytetarët e Nova Scotia-s.
Quebec - Ministria e Financave e Quebec njoftoi sot (02.02.) pasdite se i ka kërkuar Kompanisë së Alkoolit të Quebec (SAQ) që të heqë nga raftet e saj "të gjitha produktet amerikane" duke filluar nga e marta 4 shkurt. SAQ gjithashtu do të duhet të ndalojë furnizimin me pije alkoolike amerikane të dyqaneve ushqimore, bareve, agjencive dhe restoranteve të provincës. “Kjo masë është një përgjigje ndaj vendosjes së padrejtë të tarifave doganore të shpallura nga administrata amerikane”, deklaroi në një komunikatë ministri i Financave, Éric Girard. Masa të tjera do të pasojnë. Ministri shpjegoi se mund të nevojiten disa ditë që alkooli amerikan të zhduket plotësisht nga degët e SAQ. Ministria e Financave siguroi se ndikimi i kësaj mase do të jetë i kufizuar për konsumatorët në provincë, pasi SAQ ofron një gamë të gjerë produktesh nga vende të tjera përveç Shteteve të Bashkuara. "Ne do të mbrojmë ekonominë tonë, bizneset tona dhe qytetarët tanë" deklaroi për Radio-Canada Éric Girard. SAQ konfirmoi për mediat se do të zbatojë direktivën e qeverisë për të hequr pijet alkoolike amerikane nga raftet e saj duke filluar nga e marta. Megjithatë, kompania nuk ishte në gjendje të jepte një vlerësim mbi koston financiare të këtij ndryshimi apo mbi fatin e mallrave tashmë të blera nga ndërmarrja shtetërore. "Sipas njoftimit të bërë nga ministri i Financave, Éric Girard, më herët sot, SAQ do të heqë të gjitha produktet amerikane nga raftet e saj dhe nga faqja e saj e internetit duke filluar nga 4 shkurti," deklaroi SAQ në deklaratë me shkrim. Kujtojmë se SAQ ofron shumë produkte vendase dhe nga e gjithë bota, të cilat konsumatorët mund t’i zgjedhin. Sipas raportit vjetor të SAQ për vitin 2023, verërat me origjinë amerikane përbënin 6.8% të tregut. Kjo pjesë ishte përkatësisht 33.2% dhe 23.3% për Francën dhe Italinë. Ontario, British Columbia, Nova Scotia, si dhe Newfoundland e Labrador gjithashtu kanë vendosur të heqin pijet alkoolike amerikane nga raftet e tyre duke filluar nga e marta, si kundërpërgjigje ndaj tarifave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara.
Ontario - Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, u takua të marten e kaluar (28.01.) me zëvendësguvernatoren Edith Dumont për t’i kërkuar asaj shpërndarjen e Asamblesë Legjislative dhe dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme. Në një deklaratë të shkurtër, ai konfirmoi se shpërndarja do të hynte në fuqi në të njejtën ditë në orën 16:00. Nga ana e saj zëvendësguvernatorja shpalli se zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Ontario do të mbahen të enjten, më 27 shkurt 2025. “Do takohemi në Windsor”, u tha Ford gazetarëve, teksa mbërrinte në rezidencën e zëvendësguvernatores Dumont, një referencë për nisjen e fushatës së tij, të nesërmen në mëngjes. “Ne do ta mbrojmë Ontarion”, shtoi ai. Ford nuk u takua me gazetarët pas vizitës tek zëvendësguvernatorja. Ai i ka justifikuar për javë të tëra këto zgjedhje të parakohshme, duke deklaruar se ka nevojë për një mandat të fortë për të rezistuar përballë presidentit Donald Trump, me kryeministrat e tjerë të vendit, dhe për t’u përpjekur të lehtësojë efektet e taksave doganore në Ontario. “Qeveria”, konfirmoi Ford, “ka përgatitur një plan veprimi ekonomik për t’u përballur me tarifat që ka paralajmëruar t’i vendosë presidenti amerikan”. Përmbajtja e planit do të shpaloset gradualisht gjatë fushatës zgjedhore. Konservatorët-progresistë të Ontarios kanë një shumicë të absolute në Asamblenë Legjislative dhe kryeministri megjithatë ka pohuar se nuk po tregon oportunizëm politik duke shpallur zgjedhje para datës së parashikuar të qershorit 2026. “Ekonomia jonë do të sulmohet nga vendi më i madh në botë, nga personi më i fuqishëm në botë”, ka theksuar ai. Ford parashikon se situata do të jetë edhe më e rëndë se gjatë pandemisë së COVID-19 dhe do të kërkojë një bashkëpunim midis tre niveleve të qeverisë, sektorëve privat dhe publik dhe sindikatave.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Foto: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Spencer Colby/Andrew Vaughan/Chris Young