A gaboi Zelensky? - Nga Ilir Gjini

Rezultoi katastrofë takimi i presidentit Zelensky në Zyrën Ovale të White House. Larg gjuhës delikate, diplomatike, vrazhdësia e goditjeve nën brez, fillimisht nga zëvendëspresidenti JD Vance, e më pas nga Trump, e bën Zelensky-n të dukej si një kapiten i braktisur mes oqeanit, anija e të cilit fut ujë nga të gjitha anët, teksa sheh që po i shkatërohet edhe varka e shpëtimit.
Dhe kjo ndodh kur kemi hyrë në vitin e tretë të luftës dhe Putinit që nuk kishte sa duhej gjyle topash, i erdhi në ndihmë Koreja e Veriut, madje edhe me ushtarë, ndërsa mbështetësi kryesor i Ukrainës USA, po i kthen shpinën. I përmendën se nuk ishte mirënjohës, se kishte bërë fushatë gjatë zgjedhjeve për Demokratët, se po luante bixhoz me Luftën e Tretë Botërore, se nuk kishte ushtarë mjaftueshëm për në front.
Zelensky u përpoq të shpjegohej, po anglishtja e tij e çalë (do kish bërë mirë të kishte një përkthyes, se do kishte më tepër kohë të mendonte përgjigjen), ishte larg gjuhës së një politikani finok, që tregohet elastik, duke mos hequr dorë nga idetë e tij. “Keni një oqean të bukur po kur të shihni edhe aty Putinin do ta kuptoni” - tha Zelensky, çka bëri që Trump të ngrinte tonet.
Duket që komediani i dikurshëm nuk është përshtatur sa duhet nën lëkurën e politikanit. Pyetja që Zelensky duhej të bënte përpara Trump dhe gjithë botës ishte, dakord po e nënshkruaj marrëveshjen, por a do kënaqet me kaq Putin?
Nuk ka asnjë garanci se pas pushtimit të katër rajoneve të Ukrainës, Putin nuk do bëjë të njëjtën gjë me Moldavinë, vendet Balltike, Poloninë, apo duke sulmuar sërish Ukraninën, për të cilën Putin ka thënë se nuk egziston një komb ukrainas?!
Për këtë na vjen në ndihmë edhe historia. Ministri i Jashtëm i Britanisë Chamberlaine në vitin 1938 takoi Hitlerin dhe u ranë në një mendje për aneksimin e rajonit Sudeteland të Çekosllovakisë nga Hitleri, për të evituar luftën. Pas marrëveshjes Chamberland deklaroi me krenari se evituam luftën. Por, një vit më pas Hitleri sulmoi Poloninë, çka shënoi fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Kur u shkërmoq BRSS, Ukraina dorëzoi të gjiha armët bërthamore, ndërsa USA, Britania dhe Franca nënshkruan një marrëveshje me Rusinë ku garantonin kufijtë e Ukrainës.
A kënaqen diktatorët me llokma teritoresh për të vendosur gjënë më të kërkuar, Paqen? Njësoj sikur të besosh se duke e ushqyer një luan të uritur, ai do të jetë mirënjohës dhe nuk do të të hajë të nesërmen.
© Ilir Gjini - Toronto