Pretendimet armiqësore për kontroll ndaj Kanadasë - Nga Eric S. Margolis
- Published in Kanada

Kanadezët janë ndër njerëzit më të qetë, më të sjellshëm dhe më bujarë në botë. Ata janë gjithashtu, sipas përvojës sime, paqësorë, të ndershëm dhe të përulur. Nuk i sheh kurrë të zemëruar - përveç tani.
Donald Trump, me pretendimet e tij absurde megalomane për Groenlandën, Kanadanë, Panamanë dhe tani Gazën, ka arritur të bëjë atë që askush tjetër nuk e ka bërë. Ai i ka bërë Shtetet e Bashkuara të urryera në të gjithë Kanadanë, madje edhe në Albertën e dalluar për pro-amerikanizmin e saj.
Trump e sheh politikën e Jashtme njëlloj si qiramarrjen e ndërtesave - thjesht si një funksion biznesi, pra si të marrësh a japësh me qira një pronë në Nju Jork.
Zemërimi mbi pretendimet e tij, të ngjashme me ato të Musolinit ndaj territorit kanadez, me kalimin e kohës mund të shuhet, por dëmi tashmë është bërë.
Ajo që presidenti i sapo rizgjedhur nuk arrin të kuptojë është se ajo çka e mban të bashkuar perandorinë amerikane është tregtia dhe qasja në tregun gjigant të SHBA-së. Japonia dhe Gjermania u rindërtuan pas Luftës së Dytë Botërore falë politikave tregtare të mençura dhe bujare të Amerikës.
E mbaj mend shumë mirë kur elektronika e shkëlqyer japoneze dhe makinat superiore gjermane filluan të shfaqeshin në tregjet amerikane dhe më pas në ato evropiane. Të gjithë përfituan nga kjo tregti e re. Japonia dhe Gjermania e pasluftës u rindërtuan falë qasjes së tyre në tregun amerikan. Ankesat për pabarazitë apo sufiçitet tregtare gjermane apo japoneze u injoruan duke u konsideruar si të domosdoshme për ndërtimin e aleatëve të forte, të cilët më pas do të shërbenin si një mburojë ndaj zgjerimit sovjetik.
Në fakt, anëtarësimi në “sferën më të madhe të bashkëprosperitetit” të Amerikës u konsiderua një përfitim i madh në të gjithë Evropën dhe Azinë e shkatërruar nga lufta. Pabarazitë tregtare me aleatët e rinj u panë në Uashington njësoj siç i shihte Britania Perandorake në shekullin XIX – “një kosto e perandorisë”. Qasja në tregun e madh amerikan shihet sot si elementi që e mban perandorinë të bashkuar.
Kanadezët do të donin të paguanin taksa më të ulëta amerikane dhe të përfitonin nga një sistem shëndetësor më i mirë. Një numër i madh kanadezësh janë tashmë banorë të Floridës me diell. Madje, në Miami ka një gazetë në gjuhën frënge për “shtegtarët e Kebekut” që i largohen dimrit të ashpër.
Kanadezët e duan Floridën, por Kanadanë e tyre të dashur e duan edhe më shumë. Ndoshta Trump, Mjeshtri i Ndërtimit, do të ishte i gatshëm ta shkëmbente Floridën me Kanadanë për Albertën e pasur me naftë?
Seriozisht, shumica e amerikanëve nuk e kuptojnë sa e brishtë është Kanadaja si komb. Territori i saj është i gjerë, madje më i madh se SHBA-ja, edhe pse pjesa më e madhe e tij shtrihet në të ftohtin ekstrem. Kanadezët e Bregut Perëndimor, me lidhje të forta me Azinë, nuk kanë shumë të përbashkëta me frankofonët e Kebekut apo peshkatarët e pronvicave Atlantike. Një nga pyjet boreale më të mëdha në botë shtrihet nga lindja e Kanadasë deri në veriperëndimin e bukur të Paqësorit. Kanadaja ka qenë gjithmonë një përmbledhje rajonesh të përqendruara te vetja. Popullsia e saj prej 40.1 milionësh shpesh nuk ka shumë të përbashkëta. Banorët e Bregut Lindor ndiejnë pakënaqësi ndaj Perëndimit; Perëndimi e nënvlerëson Kanadanë Lindore. Në provincën kryesore, Ontario, gjuhët e treta më të folura janë hindi dhe kantonezishtja. Sekte fetare të çuditshme gjenden në Perëndim. Gjatë gjithë historisë së saj, Kanadaja është eklipsuar dhe ndonjëherë kërcënuar nga një SHBA shumë më e fuqishme.
Mënyrat e saj të qeta dhe liberale kanë revoltuar republikanët e krahut të djathtë. Kujtojmë rastin kur ish-presidenti amerikan Lyndon Johnson, poshtëronte një kryeministër kanadez duke i ngjitur emra fyes. Belgjika shpesh përjeton të njëjtin bullizim nga Franca, e cila i përçmon belgët si “les petits Belges”.
Kërcënimet e Trump ndaj Kanadasë kanë zemëruar një nga aleatët më të rëndësishëm ushtarakë dhe tregtarë të Amerikës. Dhe për çfarë arsye? Që Trump të ndihet i fuqishëm dhe mashkullor. Mos harroni që kur kancelari Adolf Hitler shpalli “Anschluss” (bashkimin) me Austrinë fqinje, shumë austriakë u gëzuan atëherë, ndryshe nga kanadezët e sotëm që nuk janë aspak të lumtur.
© Eric S. Margolis 2025