Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 16.02.2025

  • Published in Kanada

Grays Bay - Nunavut

 

-British Columbia, seancë disiplinore për tre policë të RCMP akuzuar për komente raciste

-Alberta, qeveria njofton ndërtimin e 11 shkollave të reja në Edmonton dhe Calgary

-New Brunswick, linjë telefonike në ndihmë të shëndetin mendor të fermerëve

-Nova Scotia, kulla më e lartë me panele diellore të integruara në Amerikën e Veriut në Halifax

-Newfoundland, Roja Bregdetare evakuon ekuipazhin e një anijeje tregtare që u përplas me bregun shkëmbor

 

British Columbia - Tre policët e detashmentit të RCMP (Policia Federale Kanadeze) në Coquitlam, të akuzuar për bërjen e komenteve të konsideruara raciste dhe seksiste në një grup privat diskutimesh online, janë thirrur në një seancë disiplinore nesër më 17 shkurt. Sipas një kërkese për mandat kontrolli të paraqitur në një gjykatë provinciale të British Columbia nga rreshteri Bryson Yuzyk, oficer i ngarkuar me mbikqyerjen e standardeve profesionale të RCMP, tre policët në fjalë thuhet se janë shprehur për një rekrute se ishte “e neveritshme” dhe “e pështirë”, si dhe janë tallur me peshën e saj duke pretenduar se “forma e vaginës së saj ishte e dukshme përmes rrobave”. Gjithashtu, ata dyshohet se kanë përdorur një fyerje homofobike kundër personave me ngjyrë, e kanë quajtur një koleg të RCMP që nuk ishte pjesë e diskutimit “kokë turban” dhe janë mburrur me faktin që kishin përdorur pistoletë taser me impulse elektrike ndaj personave me ngjyrë të paarmatosur. Ata gjithashtu dyshohet se e kanë quajtur një viktimë të dyshuar si objekt i një sulmi seksual “meksiakane idiote”. Policët e akuzuar kanë tentuar të përjashtojnë provat e siguruara nga telefonat e tyre personalë, duke argumentuar se përdorimi i tyre shkelte të drejtat e garantuara nga Karta Kandeze për të Drejtat dhe Liritë. Megjithatë, një komitet etik i RCMP e hodhi poshtë këtë pretendim qershorin e kaluar. Treshja ka refuzuar të komentojë dhe deri tani asnjë nga akuzat e ngritura kundër tyre nuk është prvuar. Ata janë pezulluar që nga qershori i vitit 2021.

Alberta - Qeveria e Albertës do të ndërtojë 11 shkolla të reja në Edmonton dhe në rajonin metropolitan të Calgary-t. Këtë e njoftoi të shtunën ministri i Arsimit, Demetrios Nicolaides, përmes një komunikate për mediat. Ky projekt është pjesë e synimit të provincës për të shtuar 200,000 vende të reja në shkolla brenda shtatë viteve të ardhshme. “Gjatë tre viteve të ardhshme, do të përshpejtojmë ndërtimin e shkollave duke shtuar 30 institucione të reja çdo vit”, shpjegon komunikata e ministrit. Sipas vlerësimeve të qeverisë 11 shkollat e reja pritet të strehojnë 12,000 nxënës. Siç pat njoftuar kryeministrja Danielle Smith shtatorin e kaluar, një buxhet prej 8.6 miliardë dollarësh do të alokohet për ndërtimin dhe modernizimin e shkollave në vitet e ardhshme. Ky fond i shtohet 2.1 miliardë dollarëve të parashikuar në buxhetin e provincës për vitin 2024, të shpërndarë në tre vjet. Ministri Nicolaides e ka përshkruar këtë shumë si një investim brezash. Përveç këtyre shkollave, buxheti mbështet edhe qëllimin e qeverisë për të modernizuar 24 institucione shtesë. Nga 11 shkollat e reja, tre do të ndërtohen në Calgary, përfshirë një institucion parashkollor, një shkollë fillore dhe një shkollë të mesme. Shkolla fillore do të jetë pjesë e rrjetit të Këshillit Shkollor Katolik të qytetit, ndërsa dy të tjerat do t’i përkasin Këshillit Shkollor të Calgary-t. Në rajonin metropolitan të Calgary-t, qytetet Airdrie dhe Okotoks do të kenë shkolla të reja të mesme, ndërsa në Chestermere do të ndërtohet një institucion i ri për nxënësit nga parashkollori deri në klasën e 9-të. Në kryeqytet, janë planifikuar dy shkolla fillore të administruara nga Këshilli Shkollor Publik i Edmontonit, si dhe një institucion për nxënësit nga klasa e 7-të deri në të 9-ën. Këshilli Shkollor Katolik i Edmontonit do të ketë dy shkolla të reja për nxënësit nga parashkollori deri në klasën e 9-të. Qeveria ka theksuar se kostoja e saktë e secilit institucion dhe data e fillimit të punimeve do të bëhen të ditura pasi të jenë përzgjedhur kontraktorët.

New Brunswick - “Një linjë e re telefonike ndihme e dedikuar për fermerët do të ketë një ndikim pozitiv në shëndetin e tyre mendor, pasi shumë prej tyre përjetojnë ankth dhe episode depresioni”, ka pohuar për CBC Aleanca Bujqësore e provincës New Brunswick. E nisur nga Qendra Kanadeze për Mirëqenien Bujqësore, Linja Kombëtare e Krizës, e cila është e disponueshme 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, menaxhohet nga profesionistë të trajnuar posaçërisht për të kuptuar stresin me të cilin përballen fermerët. Ata mund të ofrojnë ndihmë të menjëhershme duke propozuar strategji përballimi, seanca këshillimi të përkohshme ose thjesht një dëgjim mbështetës, të gjitha këto falas. Sipas Victoria Hutt, koordinatore për shëndetin mendor dhe sigurinë bujqësore pranë Aleancës Bujqësore të New Brunswick, fermat po bëhen më të mëdha dhe më të pakta, ndërsa familjet e fermerëve po zvogëlohen, gjë që çon në izolim. Nga ana tjetër, ajo dëgjon edhe fermerë që kanë frikë se fëmijët e tyre nuk do duan të trashëgojnë fermën familjare, sepse e dinë barrën e rëndë mendore që kjo përgjegjësi përfaqëson. Fermerët përballen me orë të gjata pune, ngarkesë të madhe fizike dhe prishje të makinerive, por gjithashtu ka shumë sfida nga ana e biznesit, si adoptimi i teknologjive të reja. Gjithashtu, paparashikueshmëria e motit dhe ndikimi i tij në bujqësi mund të jenë burime shqetësimi dhe stresi për fermerët. Sipas një studimi të kryer mbi rreth 1200 fermerë kanadezë nga studiues të Universitetit të Guelph midis shkurtit dhe majit të vitit 2021, numri i personave me mendime vetëvrasëse është dy herë më i lartë tek fermerët sesa në popullatën e përgjithshme. Sipas Victoria Hutt, këto statistika nuk janë befasuese. Ajo shpreson që linja e re kombëtare e ndihmës telefonike do t’i ndihmojë fermerët të ndihen të dëgjuar.

Nova Scotia - Një rezidencë studentore në Halifax, Nova Scotia, sapo ka marrë një çmim që vlerëson kontributin e saj të jashtëzakonshëm në ekonominë e pastër. Bëhet fjalë për kullën Loyola, e cila ndodhet në kampusin e Universitetit Saint Mary’s (SMU). Kjo ndërtesë 22-katëshe është tani kulla më e lartë në Amerikën e Veriut e pajisur me instalime fotovoltaike të integruara. Fasada jugore e kullës është e mbuluar me 600 panele diellore. E ndërtuar më shumë se 50 vjet më parë, rezidenca Loyola kishte filluar të tregonte shenja të vjetërsimit, me disa pjesë të betonit që po shpërbëheshin. Në vend që të zëvendësohej thjesht betoni, u mor vendimi për të mbuluar njërën nga katër fasadat me panele diellore. Panelet dhe instalimi i tyre, i cili filloi në vitin 2023, kushtuan 6 milionë dollarë. Ata prodhojnë 100,000 kilovat energji, e cila konsumohet nga universiteti dhe ndihmon në reduktimin e faturës së energjisë elektrike. “Kemi një ekran që na tregon, ditë pas dite, sasinë e energjisë elektrike që prodhojnë panelet, çfarë përfaqëson kjo në reduktimin e emetimeve të karbonit, sa telefona celularë mund të karikohen ose ekuivalentin në kilometra që mund të përshkojë një makinë”, shpjegoi në një intervistë për CBC Dennis Gillis, drejtor i menaxhimit të ndërtesave në Universitetin Saint Mary’s. Këtë muaj, Universiteti Saint Mary’s dhe Mitrex, një kompani e specializuar në energjinë diellore, morën çmimin Clean50 për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në ekonominë e pastër dhe zhvillimin e qëndrueshëm. I nxitur nga kjo përvojë, SMU synon të instalojë edhe më shumë panele diellore të këtij lloji në kampusin e vet në të ardhmen.

Newfoundland - Ekuipazhi i një anijeje mallrash që u përplas me shkëmbinjtë në bregun perëndimor të Newfoundland u shpëtua nga Roja Bregdetare Kanadeze dje (15.02) në mëngjes. Fotot e MSC Baltic III të publikuara në rrjetet sociale tregojnë anijen pranë një shkëmbi në rajonin Lark Harbour. Shërbimi i Komunikimit dhe Trafikut Detar mori një thirrje emergjence dhe sipas kryeministrit Andrew Furey, motori i anijes kishte pësuar defekt përpara përplasjes në bregun shkëmbor. Një helikopter Cormorant ndihmoi në evakuimin e ekuipazhit prej 20 vetësh. Anija akullthyese Henry Larsen e Rojës Bregdetare Kanadeze mori pjesë gjithashtu në operacionin e shpëtimit dhe do të qëndrojë në zonë për të monitoruar anijen derisa një ekip ndërhyrjeje mjedisore të mund të dërgohet në vendngjarje. Ndërkohë, një stuhi dimërore, me shpejtësi ere deri në 120 km/h e përfshiu rajonin në fundjavë. Moti i keq shkaktoi dhe anulimin e shërbimit të tragetit nga Port-aux-Basques.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; Reuters/Valérie Zink