Kanada

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare Giacomo Vrioni transferohet te CF Montreal

  • Published in Kanada

Sipas Radio-Canada Sport, klubi i futbollit të metropolit frankofon CF Montreal, ka blerë me 7 janar 2025 futbollistin e Kombëtares shqiptare Giacomo Vrioni. Vrioni ka mbërritur në Montreal me statusin e Designated Player Rule, një rregull përjashtimi nga kufiri i pagave të Major League Soccer (MLS) të Amerikës së Veriut. Ky rregull, i miratuar në vitin 2007, u jep klubeve të MLS mundësinë për të rekrutuar lojtarë me pagë që nuk merr parasysh kufizimet e zakonshme të ligave profesioniste të Amerikës së Veriut dhe për rrjedhojë për të sjellë në këtë ligë lojtarë të konsideruar ndër më të mirët në botë. Lojtari i parë që përfitoi nga ky rregull përjashtimi ishte David Beckham. Për momentin Vrioni është i vetmi lojtar i CF Montreal me këtë status të privilegjuar që shpesh shoqërohet me presion të madh.

Sulmuesi shqiptar u transferua në Montreal nga New England Revolution (Boston-SHBA) për shumën paraprake prej 50,000 dollarësh. Ekipi amerikan do të mbajë një pjesë të pagës së tij në 2025 dhe do të marrë një përqindje nëse lojtari transferohet përfundimisht. Sipas Shoqatës së Lojtarëve të MLS, Vrioni sezonin e kaluar ka fituar një pagë prej 1,947,500 dollarësh amerikanë.

Pasi u bashkua me kolegët e tij në kampin stërvitor në Florida, dje (23.01) për herë të parë që nga transferta e tij Giacomo Vrioni u takua me mediat e Montrealit. 26 vjeçari, që festoi ditëlindjen më 15 janar, e di mirë se pritshmëritë do të jenë të mëdha, por ka shprehur besim në aftësitë e tij. “Nuk ndjej presion. Unë e di se çfarë mund të jap, e di që presidenti ka besim tek unë, ashtu si dhe trajeneri Gabriel Gervais dhe shokët e skuadrës. Jam i lumtur dhe i qetë. Jam gjithashtu i motivuar sepse jam ende i ri dhe kam shumë për të dhënë. Do angazhohem maksimalisht çdo ditë në fushë, në stërvitje”, u shpreh ai.

I lindur në Itali, Giacomo Vrioni është produkt i akademisë Sampdoria. Ai ishte pjesë e Juventus Torinos para se të transferohej në MLS me New England Revolution më 2022. Ai pati sezonin e tij më të mirë sulmues në MLS vitin e kaluar. Në 31 ndeshje të sezonit të rregullt, përfshirë 26 si titullar, ai shënoi 9 gola dhe realizoi 1 asist. Vrioni ka luajtur 67 ndeshje të sezonit të rregullt, duke përfshirë 41 si titullar dhe 3,806 minuta lojë në tre vjet në MLS, me gjithsej 16 gola dhe tre asistime. Ai gjithashtu ka shënuar tre herë në katër ndeshje të Kupës së Ligës dhe realizoi tre gola dhe një asistim në play-off të MLS. Në kompeticionet ndërkombëtare ka zhvilluar gjashtë ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë.

Pas largimeve të Josef Martinez dhe Matias Coccaro, Vrionit ka shumë mundësi t’i besohet një rol qendërsulmuesi. “Unë jam lloji i lojtarit që preferon të luajë në zona të thella, të cilit i pëlqen të vonojë për t’u dhënë kohë dhe hapësirë ​​shokëve në sulm”, u shpreh ai për stilin e tij të lojës.

Paraqitja e tij e parë me fanellën e FC Montreal në fushën e blertë do të jetë pikërisht sot (24.01), gjatë ndeshjes së parë parasezonale kundër FC Cincinnati në Tampa, Florida. Pas këtij dueli, montrealezët do të kthehen në shtëpi për të nisur pjesën e dytë të sezonit të tyre stërvitor në Kompleksin Sportiv Marie-Victorin, nga data 26 janar deri më 4 shkurt.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Getty Images/Ira L. Black