Kanada

Java kanadeze - Lajme shkurt 26 janar 2025

  • Published in Kanada

 

Mauricie National Park - Quebec

 

-British Columbia, kryeministri Eby propozon ndalimin e alkoolit amerikan në province

-Alberta, në Calgary rivitalizohet maratona më e vjetër në Kanada

-Manitoba, porti Churchill, “një kartë e rëndësishme” për të zgjidhur tensionet me SHBA

-New Brunswick, sektori i bujqësisë në provincë i shqetësuar për tarifat doganore amerikane

-Newfoundland, Equinor ka miratuar dy kontrata të lidhura me projektin Bay Nord

 

British Columbia - Sugjerimi i fundit i kryeministrit të British Columbia, David Eby, për të ndaluar importin e alkoolit amerikan në këtë provincë nuk ka hasur në mirëkuptim të gjerë në industri as në sektorin e hotelerisë dhe të restoranteve. Për disa, një ndalim i tillë mund të promovojë produktet vendore, por për të tjerë, do të dëmtonte edhe bizneset. "Vendimi ynë për të mos blerë alkool amerikan do të dërgonte pa dyshim një mesazh të qartë. Kjo është një nga masat që mund të shqyrtohen si përgjigje ndaj këtyre tarifave doganore", tha David Eby në një konferencë për shtyp më 21 janar. Sipas Tyler Dyck, CEO i Okanagan Spirits Craft Distillery, propozimi i jep një mundësi konsumatorëve për të mbështetur verërat dhe pijet alkoolike të prodhuara në British Columbia. Sipas tij, pijet alkoolike të prodhuara në British Columbia rrallë mund të konkurrojnë me shumicën e markave amerikane dhe ato ndërkombëtare që dominojnë raftet e dyqaneve lokale të alkoolit. Kjo, pjesërisht, vjen për shkak të pabarazisë në tarifat e akcizës mes dy vendeve, thekson ai: "Shtetet e Bashkuara kanë ulur normën e akcizës për të nxitur prodhimin, dhe një mijë distileri të reja janë hapur gjatë pesë viteve të fundit. Në Kanada, tarifat vjetore të akcizës për birrën, verën dhe pijet alkoolike u rritën me 2% vitin e kaluar, ndërkohë që pritej të rriteshin me 4.7%." Richard Barichello, profesor i ekonomisë ushqimore në Universitetin e British Columbia-s, sugjeron që Kanadaja të përqendrohet në uljen e barrierave tregtare ndërprovinciale për të përballuar më mirë presionet tregtare të jashtme. "Këto janë gjëra që duhej t’i kishim bërë vetë shumë kohë më parë," pohon ai. Në një deklaratë përmes emailit, ai shton: "Shumë politika dhe rregullore pengojnë inovacionin dhe na pengojnë të përmirësojmë produktivitetin në Kanada. Një përpjekje serioze mbi këto çështje do të ndihmonte jashtëzakonisht shumë vendin, si kompensim për tarifat doganore të Trump".

Alberta - Me rastin e përvjetorit të 61-të, Maratona Servus e Calgary, që do të zhvillohet këtë pranverë, do të ketë një pamje ndryshe nga edicionet e mëparshme. Përveç garës tradicionale prej 42 kilometrash, do të organizohen edhe aktivitete gjatë një jave të tërë. Kristen Fleming, drejtoresha e përgjithshme e "Run Calgary", shoqata që organizon këtë event, shpjegon se interesi për vrapimin ka arritur nivele rekord vitet e fundit. "Kam 20 vite që vrapoj dhe 13 vite që punoj në këtë sektor, por nuk kemi parë kurrë diçka të tillë në nivel global në traditën e vrapimit", ka shpjeguar ajo për CBC. Në vitin 2024, afërsisht 14,000 persona u regjistruan për maratonën e Calgary. Ky është numri më i madh i pjesëmarrësve në më shumë se 10 vjet, sipas Kristen Fleming. "Shumë të rinj në të njëzetat, të cilët arritën moshën madhore gjatë pandemisë, tani kërkojnë një komunitet dhe një vend për t'u mbledhur", ka theksuar ajo. Përveç maratonës dhe gjysmë-maratonës që do të zhvillohen gjatë fundjavës së 24 majit, organizatorët kanë shtuar gara prej 5 dhe 10 km, si dhe gara për fëmijët. "Duam që fëmijët të lënë telefonat dhe të shkojnë të luajnë, duke rizbuluar kënaqësinë e lëvizjes", ka shtuar Kristen Fleming. Një festival gjithashtu do të mbahet pas garës të dielën, për të bashkuar vrapuesit dhe familjet e tyre dhe për të festuar arritjet e tyre. Gjithashtu, do të ofrohen aktivitete në të gjithë qytetin gjatë javës, para garave të fundjavës. "Kur shkojmë në qytete të tjera, eksplorojmë, hamë në restorante, përthithim kulturën e qytetit, thjesht. Donim të ofronim këtë eksperiencë", konkludoi Kristen Fleming. E organizuar për here të parë në vitin 1963, Maratona e Calgary, sipas organizatorëve, është gara më e vjetër e këtij lloji në Kanada. Këtë vit, aktivitetet do të zhvillohen nga 19 deri më 25 maj.

Manitoba - Kryeministri i Manitobës, Wab Kinew, sugjeroi këtë javë se porti Churchill, në veri të kësaj province, është një mbështetje e rëndësishme për forcimin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara në një kontekst tensionesh tregtare. Të martën (21.01.), Kinew deklaroi se Churchill mund të kontribuojë në garantimin e sovranitetit të Arktikut dhe sigurisë kombëtare, pasi ky qytet është i arritshëm me tren dhe ka një port me thellësi të konsiderueshme. Sipas kryeministrit, një investim në port nuk është vetëm i dobishëm për Manitobën, por është gjithashtu një kartë shumë e rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Kinew e bëri deklaratën një ditë pas kthimit në pushtet të Donald Trump, presidentit të ri amerikan, i cili ka kërcënuar disa herë se do të vendosë tarifa prej 25% mbi importet nga Kanadaja. Feiyue Wang, profesor në Universitetin e Manitobës dhe drejtor i Observatorit Detar të Churchill, e ka mbështetur vizionin e Wab Kinew, duke theksuar se potenciali i rajonit nuk është vlerësuar kurrë për shkak të logjistikës së portit, që i lejon të funksionojë vetëm për tre muaj e gjysmë gjatë verës. "Propozimi i kryeministri është logjik. Çështja është të dimë si ta realizojmë atë", ka theksuar Wang për CBC. Sipas tij, projekti mund të paraqesë sfida, por gjithashtu ofron mundësi. Ai ka implikime të konsiderueshme rajonale dhe kombëtare, por gjithashtu mund të ofrojë një rrugë të re detare kryesore për zinxhirin global të furnizimit. Nga ana e tij, drejtori i Institutit të Transportit të Universitetit të Manitobës, pranë Shkollës së Biznesit Asper, Barry Prentice, beson se Churchill ka argumente shumë të forta ekonomike, por kjo nuk dmund të ndodhë pa investime. Sipas tij, eksportet kanadeze përmes këtij porti jo vetëm që do të forconin ekonominë e Manitobës, por gjithashtu mund të reduktonin varësinë e Kanadasë nga tregtia me Shtetet e Bashkuara.

New Brunswick – Një grup përfaqësuesish të biznesit u takuan me një nga ministrat e qeverisë së New-Brunswick të enjten e kaluar (23.01) për të diskutuar pasojat e mundshme të vendosjes së tarifave doganore prej 25% mbi eksportin e produkteve kanadeze drejt Shteteve të Bashkuara. “Ata janë padyshim të shqetësuar”, tha në një intervistë për Radio-Canada Pat Finnigan, ministër i Bujqësisë, Akuakulturës dhe Peshkimit. “Disa prej tyre kanë aktivitetin e peshkimit që fillon pas disa muajsh. Prodhimi bujqësor, e njëjta gjë. Ka shqetësime të mëdha se kjo mund të çojë në mbylljen e plotë të doganave, Mbyllja e kufijve, mendoj se është ajo që dëgjova më shumë nga prodhuesit, dhe kjo ishte ajo që i shqetësonte më shumë”, shpjegoi ai dhe sipas tij, kjo do të ishte një katastrofë totale. Këtë fundjavë në Edmundston u mbajt dhe Forumi vjetor i panjës. New-Brunswick është një nga prodhuesit kryesorë botërorë të produkteve të panjës, dhe Shtetet e Bashkuara janë një partner kryesor tregtar. Çështja e tarifave amerikane natyrisht që u përfshi në diskutime. "Ne nuk mund të zëvendësojmë 75% të tregut tonë brenda një mëngjesi", tha në një intervistë Frédérick Dion, presidenti i Shoqatës së Prodhuesve të Panjës të New-Brunswick. "Nuk ka blerës të tjerë që do të zëvendësojnë blerësit aktualë. Duhet të përballemi me këtë, por kjo mbetet një pasiguri e vazhdueshme", pranoi ai. "A do të duhet qeveria kanadeze, qeveria e New-Brunswick të zbatojnë gjithashtu programe, ndoshta për të mbështetur inventarët, në mënyrë që të mos detyrohemi të shesim shurupin e panjës me humbje?", shtoi Dion.  Presidenti amerikan Donald Trump vendosi tarifa doganore prej 25% ndaj Kolumbisë sot (26.01.). Ai përmendi masa të ngjashme ndaj Kanadasë dhe Meksikës nisur nga 1 shkurti. "Ajo që është më shqetësuese është se objektivi duket se ndryshon nga dita në ditë, kështu që është shumë e vështirë të reagosh", pohoi ministri Pat Finnigan. "Ne po përgatitemi për më të keqen dhe shpresojmë për më të mirën." Ai siguroi që ndihma qeveritare do të jetë e disponueshme për ndërmarrjet nëse Shtetet e Bashkuara e realizojnë paralajmërimin e tyre për të vendosur tarifa doganore të përmasave të përmendura nga presidenti i ri.

Newfoundland - Kompania multinacionale norvegjeze Equinor ka angazhuar shërbimet e dy kompanive për të kryer punët paraprake të projektit të saj naftënxjerrës Bay Nord, i cili u pezullua në vitin 2023. BW Offshore, një tjetër multinacionale me seli në Norvegji, ka deklaruar se është angazhuar nga Equinor për të realizuar një studim paraprak të dizajnit të një anijeje prodhimi dhe depozitimi që mund të funksionojë në fushën naftëmbajtëse të Bay Nord, në brigjet e St-John’s, në Newfoundland dhe Labrador. Në një komunikatë për shtyp, kompania theksoi se do të punojë për të mbështetur objektivat strategjike të Equinor në projektin Bay Nord. Kompania britanike Altera Infrastructure gjithashtu ka deklaruar se është angazhuar për një kontratë paraprake për dizajnimin e një anijeje prodhimi dhe depozitimi. Projekti Bay Nord u miratua nga qeveria kanadeze në vitin 2022. Equinor njoftoi vitin pasues se kishte pezulluar projektin me vlerë 16 miliardë dollarë, për tre vjet, derisa të gjente një mënyrë për ta bërë atë më fitimprurës. Equinor nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me vazhdimin e këtij projekti. Zona naftëmbajtëse e Bay Nord është rreth 500 kilometra larg brigjeve të St-John’s dhe afërsisht 1170 metra në thellësi. Nëse projekti do të vazhdojë, ai do të jetë i pari projekt i shfrytëzimit të një zone nafte në ujëra të thella në brigjet e Newfoundland dhe Labrador.

© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press; Mauritius images/Michael Peuckert