Kanada

Tarifat doganore: Trump do diskutojë sot në mëngjes me Kanadanë dhe Meksikën

  • Published in Kanada

Sipas Agjencisë France-Presse, të cilës i është referuar media shtetërore kanadeze CBC/Radio-Canada, që e ka publikuar lajmin dje (02.02.) rreth orës 19:39 në mbrëmje, presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar mbrëmë se do të diskutojë sot (03.02.) në mëngjes me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, si dhe me qeverinë e Meksikës, pasi vendosi më 1 shkurt një tarifë prej 25% mbi produktet që vijnë nga këto dy vende.

"Do të diskutoj me kryeministrin Trudeau nesër në mëngjes, gjithashtu do të flas me Meksikën nesër në mëngjes, nuk pres asgjë serioze. Ne vendosëm tarifa sepse ata na kanë shumë borxhe, jam i sigurt që do të paguajnë", deklaroi Trump për mediat para se të largohej nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, në Florida.

Republikani vazhdoi të kritikojë Kanadanë, duke shpjeguar se "ajo nuk lejon bankat tona, nëse e mendoni këtë, është e pabesueshme. Ata janë të vështirë me naftën dhe energjinë. Ata nuk lejojnë produktet tona bujqësore".

"Globalisht, ka shumë gjëra që ata nuk i lejojnë. Ndërkohë, ne lejojmë gjithçka të hyjë tek ne, është një marrëdhënie e njëanshme. Ne subvencionojmë Kanadanë me 200 miliardë dollarë në vit dhe çfarë marrim në këmbim?", pyeti ai.

Trump gjithashtu pohoi se, përballë kundërmasave të njoftuara nga Justin Trudeau, ai mund të shqyrtojë vendosjen e tarifave shtesë mbi produktet kanadeze.

Burimi: CBC/Radio-Canada

Foto: Reuters/Kevin Lamarque (Donald Trump dhe Justin Trudeau në Samitin e NATO-s, mbajtur më 2019 në Mbretërinë e Bashkuar)